Avionët luftarakë të Forcave Ajrore Mbretërore Britanike (RAF) janë ngritur dy herë në 48 orët e fundit për të mbrojtur hapësirën ajrore të NATO-s nga avionët luftarakë rusë.
Avionët britanikë Typhoon u thirrën për dy incidente të veçanta këtë javë pasi avionët ushtarakë rus fluturuan shumë afër kufirit të NATO-s, duke shkaktuar një alarm, transmeton Telegrafi i Londrës.
Ndërhyrjet erdhën në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump duket se e ka humbur durimin me presidentin rus Vladimir Putin dhe kërcënoi se do të tërheqë SHBA-në nga bisedimet për një marrëveshje paqeje për Ukrainën.
Kjo është hera e parë që RAF-it i është kërkuar të ndërhyjë si pjesë e një misioni të ri të NATO-s për të forcuar mbrojtjen ajrore evropiane. Ministrat thanë se incidenti i fundit paralajmëron se Rusia po bëhet gjithnjë e më agresive në provokimet e saj ndaj Perëndimit.
Dy avionë britanikë, të vendosur në një bazë ajrore në Poloni, u ngritën për të kapur një aeroplan rus zbulues mbi Detin Baltik. Më pak se 48 orë më vonë, një palë tjetër luftëtarësh britanikë u desh të fluturonin për të kapur një avion të paidentifikuar që ishte nisur nga enklava ruse e Kaliningradit, e cila ndodhet midis Polonisë dhe Lituanisë.
Avionët u vendosën në Poloni vetëm tre javë më parë si pjesë e një operacioni mbrojtës me Forcat Ajrore Suedeze. /tesheshi.com/