O Mamut, lëri gratë rehat!
Ka dalë një zë në takimet e “haremit socialist të grave” që na thotë:
“Provoni të ikni një muaj, dhe kur të ktheheni do gjeni njerëz me bisht.”
Po çfarë thua kështu, o Mamut? Demek, ne burrat do kthehemi në kafshë po na lanë gratë një muaj? Ku jeton ti, në gurë apo në ndonjë dokumentar për evolucionin?
Na fal, por jo të gjithë burrat janë të paaftë pa gruan në shtëpi. Dimë të lahemi, të rruhemi, të lajmë rrobat, të gatuajmë e të mbajmë veten dhe shtëpinë me dinjitet. Nuk kemi nevojë për një “kujdestare” që të na ndërronte çorapet apo të na ndante lugën nga piruni.
Ky lloj mendimi vjen nga një mentalitet ku mashkulli e sheh gruan si shërbyese, jo si partnere. Një botëkuptim i mykur, i vjetër sa bufi dhe zhapinjtë – që për hir të së vërtetës, kanë më shumë etikë në habitatin e tyre sesa ti në shoqëri.
Në qytet, gruaja nuk është as për t’u rrahur, as për t’i prerë burrit thonjtë, as për t’i larë brekët. Kjo ndodh vetëm me ata që kanë fobi nga sapuni dhe nuk fshijnë dot as qyrret e tyre pa ndihmën e nënës apo bashkëshortes.
O Mamut, bëj mirë dhe rri në habitatin tënd primitiv! Lëri familjet e të tjerëve rehat dhe mos guxo të përçmosh gra që kanë më shumë kurajë, etikë dhe nivel sesa ti do kesh ndonjëherë.
NGA Armir Shkurti
