Apeli i GJKKO ka lënë në qeli dy personat, të cilët u vunë në pranga pasi dyshohet se ndërhynë  në sistemin e IT në SPAK duke vjedhur dosjet në hetim nga tre prokurorët.

Dy të akuzuarit, të cilët kishin qenë pjesë e administratës, Zambak Gjoni dhe  Arnold Rrokaj do të hetohen në qeli.

 

Njoftimi: 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Dhimitër Lara, sot më 22.04.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 28 akti, datë 14.04.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personave nën hetim Z.Gj., dhe A.Rr., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 32, datë 14.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

Miratimin e Vendimit/Urdhrit nr. 32, datë 14.03.2025 të Gjykatësit që shqyrton kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

HAKERUESI

Arnold Rrokaj është 33- vjeçari që pretendohet se ka pranuar se ka ndërhyrë në postën elektronike të tre prokurorëve. Vlonjati që ka qenë i punësuar në IMT mësohet të ketë thënë se “e bëra nga kurioziteti”, duke lënë të kuptohet se, në fakt, ka përvetësuar materiale nga adresat elektronike të prokurorëve. Mirëpo hetimi i çështjes tashmë është fokusuar tek fakti se Rrokaj, i cili dyshohet se ia ka dhënë të dhënat e përftuara Zambak Gjonajt dhe ky i fundit i ka shpërndarë në persona të tretë, ka funksionuar si grup kriminal bashkë me Gjonajn dhe personat e tjerë.

Sipas të dhënave hetimore është e qartë se i dyshuari, me detyrë të mëparshme punonjës pranë IMT, ia ka kaluar më tej të dhënat Zambak Gjonit, edhe ai me profesion jurist, si dhe ish-zyrtar i burgjeve. Por grupi i hetimit është i bindur që i riu nuk ka thënë të vërtetën. Sulmi, siç njoftoi zyrtarisht SPAK, u sinjalizua në datën 12 mars 2025, por në harkun e 48 orëve janë identifikuar dy bashkëpunëtorët, ndaj të cilëve u vendos arrest në burg. Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, njëherazi urdhëroi ‘ndalimin e publikimit të dosjes’, përderisa hetimet po vazhdojnë ende për të zbardhur të gjithë skenarin.

Çështja po hetohet për grup kriminal. SPAK ka njoftuar zyrtarisht se pas një hetimi administrativ është konstatuar se hakeruesit nuk kanë arritur të hyjnë në sistem. Ndërsa vijojnë analizat e brendshme hetimore për të konkluduar se çfarë përmbante posta elektronike e tre prokurorëve, të cilët dyshohet se kishin fjalëkalime të lehta të email-ve për sa kohë janë thyer nga të interesuarit. SPAK nuk bën me dije se çfarë materialesh janë marrë në këto adresa dhe se kush janë palët e treta që kanë pasur interes për materialet hakeruese./Gazeta Panorama 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko