NIKOLETA KOVAÇI/ Për herë të parë, në një gjykatë shqiptare, dëshmon një prej emrave proverbial të krimit të organizuar, i cili, e ka shtrirë aktivitetin në disa kontinente.
Bëhet fjalë për Gramoz Rexhepin, që njihet edhe me emrin Dritan, që është vënë nën akuzë për një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në vendin tonë, dekadën e fundit: Rrëmbimi, vrasja dhe zhdukja e Jan Prengës. 49-vjeçari pukjan u rrëmbye mesditën e 17 janarit të 5 vjetëve më parë, nga 4 persona në mes të Kamzës, u dërguar në një prej resorteve më të njohura në vend dhe më pas trupi i tij u zhduk. Në fakt, ishin ca pamje që u nxorën në media ku u mësua se i rrëmbyeri kishte mbërritur i pajetë në resortin e Altin Hajrit në Shijak, por policia, prokuroria dhe asnjë instancë që merret me hetimin e akteve të tilla nuk gjurmuan dot asnjë të dhënë që u mor vesh shpejt nga denoncimi i familjes Prenga. Dritan Rexhepi është akuzuar si organizatori i atij akti brutal, ndërsa rrëmbimin dyshohet se e kanë kryer 4 persona nga Shkodra.
Pikërisht për shkak të kësaj akuzë, vlonjati Rexhepi ishte në gjykatë ku mohoi përfshirjen në rrëmbimin e Prengës, mohoi njohjet me personazhet e krimit, mohoi përfshirjen në atë histori të vjedhjes së drogës në Angli, mohoi të njihte Altin Hajrin të zotin e resortit nga ku u zhduk trupi i Prengës. Po ashtu ai kërkoi ballafaqim më të vëllanë e të zhdukurit, kërkoi të sillen komunikimet e SKY ECC në Gjykatë, kërkoi të mos i bëhej moral në sallën e gjyqit, e po ashtu të mos e përfshinin në atë akt, pasi ai në atë kohë gjendej në burg në Guayaquil-i në Ekuador, i dënuar për trafik ndërkombëtar kokaine. Por, që në krye të herës, u tha se një person me emrin Gramoz nga Vlora, kishte organizuar të gjithë ngjarjen, por Gramozi në GJKKO mohoi dje të ishte ai Gramozi nga Vlora për të cilin flet dosja.
RRËFIMI
“Në fundin e vitit 2019 kam qenë jashtë Shqipërisë. Kam qenë në burg në Ekuador. Kam qenë i dënuar 13 vjet për trafik droge. Ju do më pyesni për çështjen apo do me bëni gjyq moral? Kisha 5 vite e 4 muaj që vuaja dënimin. Kisha kontakte me njerëzit jashtë përmes kabinës së burgut. Shqiptarë aty kishte plot në burg, afërsi kisha me njërin nga Kosova. Për trafik droge u akuzova me 10 persona të tjerë, aso kohe i përfshirë ishte edhe një shqiptar. Ai doli i pafajshëm. Gentian Doçajn (Funiqi) e kam dëgjuar në media dhe në dosjen as e kam lexuar. Emri nuk më thotë gjë. Më ka sjellë avokatja dokumentet nga burgu i Firences, ku thuhet se unë dhe ai nuk kemi qenë në të njëjtin sektor. Me Gentjan Funiqin nuk kam pasur njohje, kurrë në jetë. Martin Bleta nuk e kam të dëgjuar, as Korado Gështenja. Nga burgimi nuk kam bërë asnjë lloj bashkëpunimi për të dhënë para lidhur me trafikun e drogës. Në fund të vitit 2019 nuk kisha informacion për vjedhjen e një sasie droge në portin Portsmouth të Londrës”, dëshmoi Rexhepi.
Një tjetër element i rëndësishëm i këtij procesi gjyqësor janë provat e reja që SPAK ka dorëzuar, që pritet të implikojnë drejtpërdrejtë Dritan Rexhepin, Gentian Funiqin dhe pronarin e kompleksit ‘Golden’, Altin Hajrin në vrasjen dhe rrëmbimin e Jan Prengës. Jo vetëm me Funqin, por Dritan Rexhepi mohoi edhe njohjen me Hajrin në kompleksin e të cilit u mbajt për 8 orë trupi i pajetë i Jan Prengës derisa më pas u fut në një mjet dhe ende nuk dihet se ku është zhdukur. Rexhepi tha se lidhur me këtë ngjarje nuk ka pasur asnjë komunikim në aplikacionin SkyECC, i përdorur gjerësisht nga rrjetet kriminale, ndërsa i pyetur nga prokurorët e SPAK nëse ka njohje me Altin Hajrin, ‘mbreti i kokainës’ tha se nuk i thotë asgjë ky emër. /Gazeta Panorama