VOLTIZA DURO/ Qeveria ka miratuar vendimin për përforcimin e sigurisë në shkollat parauniversitare, duke përcaktuar në mënyrë të detajuar numrin e oficerëve të sigurisë që duhet të jenë të pranishëm në institucionet arsimore.

Vendimi që ka hyrë në fuqi ditën e djeshme pas botimit në Fletoren Zyrtare, sjell ndryshime thelbësore në vendimin e mëparshëm të vitit 2018 dhe vendos detyrime të reja sipas numrit të nxënësve.

“Institucionet e arsimit të mesëm të lartë gjimnaz, arsimit të mesëm profesional dhe arsimit të mesëm të orientuar, që kanë mbi 80 (tetëdhjetë) nxënës, të kenë 1 (një) oficer sigurie”, – bëhet me dije në vendim.

Më tej specifikohet se institucionet e arsimit bazë ose shkollat e bashkuara, që kanë mbi 350 (treqind e pesëdhjetë) nxënës, të kenë 1 (një) oficer sigurie. Për shkollat me një fluks më të lartë, saktësohet se institucionet e arsimit që kanë mbi 900 (nëntëqind) nxënës, të kenë 2 (dy) oficerë sigurie. Shkollat e mesme profesionale që kalojnë pragun e 700 (shtatëqind) nxënësve do të pajisen gjithashtu me dy oficerë sigurie. Për institucionet që përfitojnë këtë shërbim, sqarimi është i drejtpërdrejtë.

“Përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin, përveç institucioneve të arsimit të mesëm profesional, të cilat miratohen nga ministri përgjegjës për arsimin dhe formimin profesional”, – bëhet me dije në vendim.

Oficeri i sigurisë ka rol monitorues dhe ndërveprues. Ai përshkruhet si një figurë që “kryen monitorimin në institucionet nëpërmjet ndërveprimit të vazhdueshëm të nxënësve, personelit mësimor dhe komunitetit. Ndryshime të rëndësishme përfshijnë edhe rregullat e konkurrimit dhe rekrutimit. Sipas pikës 5 së ndryshuar të vendimit, dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit, konkurrimit dhe shpallja e rezultateve përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin, përveç institucioneve të arsimit të mesëm profesional, të cilat miratohen nga ministri përgjegjës për arsimin dhe formimin profesional. Edhe aspektet financiare janë të përfshira qartë në vendim.

“Numri i oficerëve të sigurisë dhe shpenzimet përkatëse përballohen brenda numrit total të punonjësve dhe fondeve buxhetore, të miratuara për ministrinë përgjegjëse për arsimin, ndërsa për shkollat profesionale shpenzimet përkatëse përballohen nga ministria për arsimin dhe formimin profesional”, – thuhet në vendim.

Ky ndryshim synon të jetë jo vetëm një instrument sigurie, por edhe një model bashkëpunimi i qëndrueshëm ndërinstitucional. Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ky vendim synon të rrisë ndjeshëm standardet e sigurisë në institucionet arsimore dhe të krijojë një mjedis më të mbrojtur për nxënësit në të gjithë vendin, duke vendosur oficerin e sigurisë si një pjesë të rëndësishme të jetës shkollore dhe si një urë lidhëse mes nxënësve, stafit dhe komunitetit.

SHËRBIMI I SIGURISË PUBLIKE

Institucionet e arsimit të mesëm të lartë gjimnaz, arsimit të mesëm profesional dhe arsimit të mesëm të orientuar, që kanë mbi 80 (tetëdhjetë) nxënës, të kenë 1 (një) oficer sigurie.

Institucionet e arsimit bazë ose shkollat e bashkuara, që kanë mbi 350 (treqind e pesëdhjetë) nxënës, të kenë 1 (një) oficer sigurie.

Institucionet e arsimit të mesëm të lartë gjimnaz, institucionet e arsimit të mesëm të orientuar, institucionet e arsimit bazë ose shkollat e bashkuara, që kanë mbi 900 (nëntëqind) nxënës, të kenë 2 (dy) oficerë sigurie.

Institucionet e arsimit të mesëm profesional, që kanë mbi 700 (shtatëqind) nxënës, të kenë 2 (dy) oficerë sigurie.

/Gazeta Panorama

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko