Dhimbjet e veshit, janë ndër shqetësimet më të zakonshme, në të gjitha moshat, e ndonjëherë ato kthehen në kronike. Mjekja otorinolaringologe, Anjeza Kuçi, thotë se shkak i dhimbjeve kronike, mund të jenë nga infeksionet e veshit deri tek sëmundje me natyrë neurologjike.
“Infeksionet e kanalit të jashtëm të dëgjimit nga përdorimi i kufjeve mund të japin dhimbje, problemet e shtyllës kurrizore mund të shoqërohen me dhimbje veshi gjithashtu, përdorimi i batonetave më qëllim pastrimin e veshit, mund të sjellin dhimbje kronike”, tha Anjeza Kuçi, mjeke ORL për Euronews.
Virozat stinore janë shpesh shkak për infeksione në vesh, dhe nëse nuk kapet dhe mjekohet ajo mund të çojë komplikacione serioze.
“Nëse nuk ndërhyjmë për ta mjekuar një infeksion të veshit, rezultati përfundimtar është çarja e membranës. E rëndësishme është që kjo të mos ndodhë në të gjitha infeksionet virale që mund të kalojë fëmija sepse mbivendosja herë pas here, bën që daullja e veshit të qëndrojë e hapur”, shtoi mjekja.
Dhimbja e veshit mund të zgjasë për javë apo të rikthehet shpesh, ajo ndikon në dëgjim, në gjumin e natës madje edhe në përqendrimin e përditshëm. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 700 milionë persona në botë përballen me humbje dëgjimi të shkaktuar nga shkaqe që mund të parandaloheshin, përfshirë edhe infeksionet e patrajtuara të veshit.