Shërbimi Evropian i Policisë, Europol, ka njoftuar fillimin e një operacioni të koordinuar shumëkombësh për të luftuar bandat kriminale që rekrutojnë fëmijë për të kryer krime të dhunshme.

Sipas Europol, këto grupe kriminale përdorin gjuhë të koduar në rrjetet sociale dhe aplikacionet e mesazheve për të identifikuar dhe joshur të miturit, duke u premtuar shuma të mëdha parash.

Pasi rekrutohen, fëmijët shfrytëzohen nga bandat për një sërë aktivitetesh të paligjshme, nga shpërndarja e drogës, shantazhi i dhunshëm, deri te vrasjet me pagesë.

Kjo strategji u lejon anëtarëve më të vjetër të bandave t’i delegojnë “punët e pista” të rinjve, në mënyrë që vetë të shmangin vëmendjen e autoriteteve.

Operacioni i ri i Europol-it, Task Forca Operacionale (OTF) njihet edhe si “OTF GRIMM, do të përfshijë bashkëpunimin me kompanitë teknologjike për të zbuluar përpjekjet për rekrutimin e të rinjve përmes rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të mesazheve.

Operacioni, i udhëhequr nga Suedia, përfshin gjithashtu forcat policore të Belgjikës, Danimarkës, Finlandës, Francës, Holandës dhe Norvegjisë.

Në të njëjtën kohë, Europol po u jep këshilla prindërve që kanë frikë se fëmijët e tyre mund të jenë tërhequr në botën e krimit.

“Vini re shenjat e vogla: ndryshimet e papritura në sjellje, paraqitja e objekteve të shtrenjta pa shpjegim. Nëse fëmija juaj ndalon së kërkuari para, por duket se ka, kjo nuk është pavarësi – është një sinjal alarmi,” paralajmëron Europol. “Qëllimi nuk është arrestimi i fëmijëve, por mbrojtja e tyre përpara se krimi i organizuar t’i kapë.”

Çfarë duhet të kenë kujdes prindërit:

Krimi i organizuar fillon në shtëpi, jo me dhunë, por me ndryshime delikate. Ja çfarë duhet të keni parasysh:

Përdorin aplikacione mesazhesh të enkriptuara. Pyesni pse. Çfarë kanë për të fshehur?
Po flasin ndryshe. Kanë qëndrime të reja, vlera të reja — ndonjëherë papritur. Kujt po i dëgjojnë?
Po gënjejnë më shpesh. Ose thjesht shmangin pyetjet.
Kanë shokë të rinj. Sidomos më të rritur ose të panjohur për ju.
Kanë sende të reja. Rroba, teknologji, para — por nuk ka shpjegim se nga erdhën.
Nuk kërkojnë më para. Por duket që kanë mjaftueshëm. Kjo nuk është pavarësi — është një sinjal alarmi.
Po tërhiqen nga jeta e përditshme. Mungojnë në shkollë, shmangin rutinat, nuk kanë më interes për miqtë apo aktivitetet që pëlqenin më parë.

Çfarë mund të bëni:

Qëndroni të pranishëm. Mbani rutinat. Kaloni kohë së bashku. Mos prisni derisa të jetë tepër vonë.
Bëni pyetje. Edhe nëse reagojnë me kundërshtim.
Kërkoni ndihmë herët. Mësuesit, punonjësit socialë dhe policia janë aleatë tuaj — nuk jeni vetëm në këtë.

 

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko