Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një konferencë për media është shprehur se pajisjet për votim dhe numërim elektronik “pajisje që garantojnë 100% fshehtësinë dhe integritetin e votës.”
“Sa i përket funksionalitet të pajisjeve, e kam thënë disa herë, janë pajisje që garantojnë 100% fshehtësinë dhe integritetin e votës. Kushdo që spekulon është duke gënjyer dhe mashtruar”, tha ai.
Lidhur me problematikat e hasura në zgjedhjet vendore të 2023, Celibashi tha se të gjitha lidheshin me sjelljen e operatorëve në Qendrat e Votimit.
“Mendoj që në zgjedhjet e 11 maj nuk do të kemi probleme të cilat u verifikuan në disa qendra votimi në 2023. Problematikat më së shumti lidheshin vetëm me sjelljen e operatorëve në disa QV. Kemi përmirësuar sistemin e rekrutimit të operatorëve. Po punojmë ndryshe për trajnimin e tyre me qëllim që në ditën e votimit, sjellja e operatorëve teknikë të jetë me atë protokoll të udhëzuar nga KQZ”, theksoi kreu i KQZ.
Kujtojmë se votim elektronik do të ketë në Vorë dhe në njësinë nr.10 në Tiranë.