Një incident i rëndë është regjistruar sot rreth orës 14:00 në rrugën “Ali Demi” në Tiranë, ku një konflikt i dhunshëm ka shpërthyer në ambientet e zyrës elektorale të Partisë Socialdemokrate (PSD), e lidhur me ish-deputetin Tom Doshi.
Sipas informacioneve paraprake, gjatë përplasjes është thyer xhami i zyrës, dyshohet me sende të forta, ndërkohë që gjatë kontrollit të policisë në vendngjarje janë gjetur dy fishekë luftarak. Kjo ka ngritur dyshime serioze për përdorim të armëve të zjarrit në këtë përplasje.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për sqarimin e plotë të situatës.
Autoritetet bëjnë me dije se personat e përfshirë në konflikt janë larguar me një automjet, dhe aktualisht po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, hetimet janë në vijim për të zbardhur motivin e konfliktit dhe për të dokumentuar të gjitha rrethanat e ngjarjes.
