Drejtuesja politike e PD-së për diasporën, Jozefina Topalli, i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve t’i kërkojë postën DHL që të përmbushë detyrimet ligjore dhe logjistike me zarfet, në mënyrë që votuesit jashtë Shqipërisë të kenë mundësi të shprehin vullnetin e tyre.
Thyerja e afateve të vendosura me ligj, tha Topalli, është cenim i votës së diasporës dhe integritetit të zgjedhjeve.
“I bëjmë thirrje KQZ-së që t’i kërkojnë DHL-së që të përmbushin detyrimet e tyre ligjore dhe logjistike. Thyerja e afateve dhe standardeve të vendosura në ligj, është cenim i rëndë i votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Në këtë mënyrë do të cenonte tërësisht integritetin e këtyre zgjedhjeve.
Falënderim dhe mirënjohje shqiptarëve që po votojnë dhe po shkojnë te zyrat e DHL-së, pavarësisht se nuk e kanë detyrim.
Ndoshta janë dy momente kyçe që do bëjmë ndryshimin e madh. E para diaspora dhe e dyta gratë që nuk do të pranojnë kurrë që babait të fëmijëve të tyre t’i thonë qeros, çyrykë. Ne po e shohim votimin që po ndodh në botë. Shqiptarët po votojnë në një akt të fortë drejtësie
Gjatë kësaj periudhe jam përpjekur të mos flasë shumë në publik për problemet me votën e diasporës. Juristët e PD që janë atashuar pranë KQZ kanë mbajtur shënim çdo fakt që ne kemi dhe ia kanë referuar KQZ.
Mendoj se është moment kyç i votimit të diasporës, ndaj i bëj thirrje KQZ të kërkojë nga DHL për përmbushjen e detyrës”, tha Topalli.