VOLTIZA DURO/ “Paketa e maleve” do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve të 11 majit. Kështu bëri me dije Kryeministri Edi Rama në vijim të agjendës së tij elektorale gjatë një vizite në qytetin e Kukësit, ku ndau me qytetarët vizionin për zhvillimin e vendit dhe prioritetet kombëtare deri në vitin 2030.
Në qendër të fjalës së tij ishte perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Europian, si dhe nisma e re “Paketën e Maleve” që pritet të sjellë zhvillim ekonomik në zonat malore. Kryeministri shpjegoi se kjo paketë synon të mbështesë ata që dëshirojnë të investojnë në agroturizëm dhe turizëm malor. Sipas tij, përfituesit e parë do të jenë deri në 500 aplikantë, të cilët nuk do të kenë detyrime fiskale për një periudhë 10-vjeçare.
Rama theksoi se qytetarët që janë pronarë faktikë, por pa dokumentacion të rregullt, mund të dorëzojnë një kërkesë në bashki për t’u përfshirë në këtë program. Pas kësaj, bashkia do të afishojë kërkesën për 30 ditë dhe nëse nuk ka kundërshtime jepet vendimi për të nisur investimin. Aplikuesi përgatit një projekt dhe regjistrohet në Ministrinë e Ekonomisë për të marrë tokën me çmimin simbolik prej 1 euro. Më pas, pas përfundimit të investimit, pajiset me certifikatën e pronësisë. Nëse gjatë këtij procesi shfaqen pretendime të tjera për pronësinë, do të jetë qeveria që do të marrë përsipër zgjidhjen e konfliktit.
“Pas zgjedhjeve do të fusim në punë ‘Paketën e maleve’. ‘Paketa e maleve’ është shumë e thjeshtë dhe është në dispozicion të të gjithë atyre që duan të investojnë në tokat e të parëve për turizëm dhe agroturizëm, duke bërë disa hapa të thjeshtë. Pronari faktik, por që nuk ka letra depoziton në bashki kërkesën që t’i njihet dhe bashkia bën afishimin në 30 ditë të të gjithë pertinentëve. Në momentin që mbaron 30- ditëshin dhe rezulton që personat janë të pakontestuar, bashkia u jep vendimin që të investojnë në tokën e tyre”, – tha Rama.
Paketa e Maleve vlerësohet si një ndër iniciativat më ambicioze për zhvillimin ekonomik dhe social të zonave të thella malore në Shqipëri.
“Ata bëjnë një projekt investimi dhe në Ministrinë e Ekonomisë bëjnë një regjistrimin dhe e marrin tokën me 1 euro. Pasi kanë bërë investimin do të marrin certifikatën e pronësisë. Në rastet se del dikush tjetër që pretendon se është pronari faktik i pronës, nuk ka më kthim mbrapa, për të tilla raste merret qeveria dhe e zgjidh ajo. Për 500 aplikimet e para, për 10 vjet nuk do të paguajnë asnjë gjë mjafton të bëjnë investimin”, – tha Rama.
“Paketa e maleve” ka për objekt përcaktimin e procedurave dhe të rregullave të posaçme për: shpalljen e zonave malore me përparësi zhvillimi; zhvillimin e pasurive shtetërore të poseduara pa titull pronësie nga subjektet private në këto zona, në harmoni me rregullat e legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit; kalimin e pronësisë përmes shitjes me tarifën simbolike 1 euro të këtyre pasurive të paluajtshme shtetërore, të cilat rezultojnë të jenë në posedim faktik të poseduesve jopronarë.
/Gazeta Panorama