Një grua nga Mbretëria e Bashkuar është shpallur zyrtarisht personi më i moshuar në botë, në moshën 115 vjeç e 252 ditë.
Ethel Caterham lindi më 21 gusht 1909 dhe është nënshtetasja e fundit e mbijetuar e periudhës së mbretit Eduard VII. Ajo thotë se sekreti i jetëgjatësisë së saj është i thjeshtë: “Nuk debatoj kurrë me askënd. Dëgjoj… dhe bëj atë që më pëlqen.”
Rekordi i saj është konfirmuar nga Guinness World Records dhe LongeviQuest, një bazë ndërkombëtare të dhënash që dokumenton njerëzit më jetëgjatë në botë.
Urime nga Mbreti
Në ditëlindjen e saj të 115-të, zonja Caterham mori një letër përgëzuese nga Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, i cili e cilësoi këtë moment si “një arritje vërtet të jashtëzakonshme”. Në letër ai i dërgonte “urimet më të përzemërta” dhe shprehte shpresën që Ethel ta shijonte këtë ditë të veçantë. Ai shtonte gjithashtu se ishte “i prekur kur mësoi për historinë e saj personale mbresëlënëse”.
Një jetë përtej një shekulli
Ethel Caterham ka lindur në Shipton Bellinger, në qarkun Hampshire, dhe është rritur në Tidworth të Wiltshire-it. Ajo ishte fëmija i shtatë nga tetë vëllezër e motra.
Në moshën 18-vjeçare, ajo punoi si dado për një familje ushtarake në Indi. U kthye në Britani në vitin 1931, ku u njoh me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Norman Caterham. Çifti u martua në Katedralen e Salisbury-t më 1933.
Norman Caterham më vonë u bë kolonel në ushtri dhe bashkë me Ethelin jetuan në Hong Kong dhe Gjibraltar. Gjatë qëndrimit në Hong Kong, ajo hapi një çerdhe për fëmijë.
Ethel ka qenë dëshmitare e disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të shekullit të kaluar, përfshirë fundosjen e Titanikut, Luftën e Parë Botërore, Revolucionin Rus dhe Luftën e Dytë Botërore.
Prej më shumë se 50 vitesh, ajo jeton në Surrey dhe ka vazhduar të drejtojë makinën deri në moshën 97-vjeçare. Një nga motrat e saj, Gladys, jetoi deri në moshën 104 vjeç. Ethel ka tre mbesa dhe pesë stërnipër.
Burimi: BBC