Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot me një ceremoni solemne Madhërinë e Tij, Abdullah II bin Al Hussein, Mbret i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, si dhe delegacionin zyrtar që e shoqëronte.

Rritja e dialogut politik dhe zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike, nxitja e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare, vijimi i bashkëpunimit shumëpalësh në nivel ndërkombëtar, mbështetja e Kosovës në arenën ndërkombëtare, qëndrimi i  palëkundur i Shqipërisë në dënimin e çdo forme dhune e terrori, si dhe mbështetja e zgjidhjes së situatës në Lindjen e Mesme me dy shtete ishin në fokus të takimit mes Kreut të Shtetit dhe Mbretit të Jordanisë.

Fillimisht, Kreu i Shtetit zhvilloi takim tête-à-tête me Mbretin Abdullah II dhe më pas liderëve të dy shteteve iu bashkuan delegacionet përkatëse në një takim të veçantë.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe  miqësore Shqipëri-Jordani, të cilat mbështeten mbi bazat e respektimit të parimeve të sovranitetit, interesit të ndërsjellë, zgjerimit të marrëdhënieve dy dhe shumëpalëshe. Në takim u shpreh vullneti i përbashkët për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim përmes forcimit të dialogut politik, shkëmbimit të vizitave, si dhe nëpërmjet plotësimit të kuadrit institucional të bashkëpunimit.

Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik në fushat e turizmit dhe kulturës, të rritjes së shkëmbimeve tregtare, të investimeve jordaneze në Shqipëri dhe shtimin e numrit të turistëve. Për këtë, Presidenti i Republikës u shpreh se shteti shqiptar është i gatshëm të plotësojë kornizën e plotë ligjore që lehtëson bashkëpunimin.

Pjesë e rëndësishme e takimeve ishin zhvillimet në rajonin e Ballkanit.

Kreu i Shtetit i kërkoi Madhërisë së Tij, Abdullah II bin Al Hussein, mbështetjen e Jordanisë ndaj Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria dhe faktori shqiptar në rajon ka bërë dhe bën përpjekje të vazhdueshme për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, pasi e konsideron këtë si të vetmen rrugë për një të ardhme Euroatlantike dhe në të mirë të qytetarëve të këtij rajoni.

Si gjatë takimit tête-à-tête, dhe në tryezën e diskutimeve me praninë e delegacioneve, palët u angazhuan për bashkëpunim në organizatat ndërkombëtare, ndërsa shkëmbyen opinione për sfidat dhe perspektivat e agjendës globale.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, theksoi gjatë takimit se Shqipëria vlerëson rolin kyç të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Lindjes së Mesme. Në veçanti, Kreu i Shtetit çmoi përpjekjet e Mbretit Abdullah II në promovimin e ekuilibrave dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për çështje të sigurisë.

Kreu i Shtetit rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë, që është i njëjtë me atë të Jordanisë, se e vetmja rrugë për një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të konfliktit në Lindjen e Mesme është zgjidhja me dy shtete.

Presidenti i Republikës vlerësoi rolin drejtues të Jordanisë dhe Madhërisë së Tij, Mbretit Adbdullah II, në iniciativën e Procesit të Aqaba-s, si një nismë e suksesshme dhe me rezultate konkrete në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Gjithashtu, Kreu i Shtetit u shpreh se, si një vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka mbështetur hapjen e zyrës ndërlidhëse të NATO-s në Jordani dhe e vlerëson maksimalisht Jordaninë si vend partner i rëndësishëm në krahun jugor të NATO-s.

Në fund të takimit, Presidenti Begaj theksoi se, përballë sfidave të sigurisë, Jordania mbetet një kolonë e fortë stabiliteti dhe ne jemi të përkushtuar të forcojmë bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat, përfshirë mbrojtjen dhe sigurinë, duke adresuar sfidat e përbashkëta dhe forcuar vlerat që na bashkojnë.

Mbreti i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Madhëria e Tij, Abdullah II bin Al Hussein, bashkë me delegacionin që e shoqëroi, e zhvilluan këtë vizitë zyrtare në Shqipëri me ftesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesisë së Tij, Zotit Bajram Begaj.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko