Në javën e fundit të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, Ervin Salianji ka publikuar në Facebook një mesazh për të gjithë demokratët.

I ndodhur në qeli, Salianji shkruan se është shumë i vetëdijshëm se si është java e fundit e zgjedhjeve dhe se do dëshironte shumë që të ishte në terren dhe jo në qeli, për të kontribuar për partinë.

“Unë e di se si është java e fundit e fushatës. Dhe ziej këtu ku jam, nga pamundësia për të qënë në terren. I penguar, i burgosur për të më rrëmbyer mandatin e përjashtuar nga zgjedhjet, nga një sistem i kalbur që po bën 12 vite plojë në vendin tonë”, shkruan Salianji.

Në fund të postimit Salianji thotë se moment i përmbysjes, nuk është i largët, as fantazmagorik.

“I them sot çdo demokrati e demokrateje që në këto orë të mbetura, ka nxitjen, ka mbështetje dhe dëshirën time, që të mos ndalet asnjë çast.

11 maj do të jetë si ditë çlirimi. Dhe për mua, fitorja e demokratëve, e qytetarëve të nëpërkëmbur, të shkelur keq në 12 vite, do të sjellë atë ndjenjë lirie, që s’ka vendim politik, hekura e mure, qeli e errësirë që të mund ta zbehin. Ju përqafoj dhe jam me ju në çdo minutë të kësaj jave!”, shkruan Salianji.

Postimi i plotë nga Ervin Salianji

6 ditë!

Çfarë mund të bëjë një njeri në 6 ditë? Ndonjëherë asgjë. Ato kalojnë pa u ndier, dhe ti e sheh se ke mbërritur thjesht në javën tjetër, të një muaji të vitit. Dikush mund të punojë si përherë e të shohë që dhe kjo javë nuk solli mrekulli në jetën e tij. Përpjekjet nuk mjaftojnë. Dikush mund të kalojë një javë duke menduar, duke bjerrur kot kohën. Një tjetër e shtyn, me shpresën se diçka do të ndodhë.

Shqiptarët ama, të gjithë ata me të drejtë vote, në këto 6 ditë mund të bëjnë më shumë se asnjëherë tjetër në jetën e tyre, duke marrë një vendim historik. Por, sidomos demokratët duhet të jenë me kronometër në dorë. Sepse jo vetëm fati i tyre personal, por i të gjithëve varet nga ne.

Ka shumë që ende kanë nevojë të nxjerrin frikën, që ende duan një nxitje, një impuls, që akoma kanë nevojë për një kontakt për të ndarë mendjen. Këta janë vendimtarë. Vendimtare janë orët në vijim për të shkuar tek ta.

Unë e di se si është java e fundit e fushatës. Dhe ziej këtu ku jam, nga pamundësia për të qënë në terren. I penguar, i burgosur për të më rrëmbyer mandatin e përjashtuar nga zgjedhjet, nga një sistem i kalbur që po bën 12 vite plojë në vendin tonë.

Unë jam në qeli si pasojë e një padrejtësie që ka goditur megjithatë shumicën e shqiptarëve. Me një përndjekje të vazhdueshme, duke ua bërë jetën gjithnjë e më të vështirë të gjithëve.

Por, sado të marrë kohë, vjen ai momenti i shpagimit. 12 vite nuk ishin një aksident, por një skenar gjakftohtë, i menduar mirë, për të instaluar një sundim që qendron mbi represionin. Dhe me këtë qeverisje duhet me u sjell, si me çdo të keqe që të vjen në derë. Duke e përzënë.

Ai autokratuci që mburret me shtatin e tij, do të shihni që në fakt ka përmasat e një kutie votimi, dhe me kthejlltësinë e kurajon e shumicës së shqiptarëve, do të dalë nga andej si një liliput që mori kaq shumë nga ky vend. Dhe që duhet të përgjigjet për gjithë mëkatet.
Po mbi të gjitha, njerëzit duhet të kenë paarsysh se si me një qeverisje tjetër, të bazuar në një program konkret, do të ndryshojë për mirë jeta e secilit. Janë projekte për pagat, pensionet, për taksat, që do të marrin jetë në 100 ditët e para.

Ai moment i përmbysjes, nuk është i largët, as fantazmagorik. Eshtë kaq afër, kaq i prekshëm. 6 ditë.

I them sot çdo demokrati e demokrateje që në këto orë të mbetura, ka nxitjen, ka mbështetje dhe dëshirën time, që të mos ndalet asnjë çast.
11 maj do të jetë si ditë çlirimi. Dhe për mua, fitorja e demokratëve, e qytetarëve të nëpërkëmbur, të shkelur keq në 12 vite, do të sjellë atë ndjenjë lirie, që s’ka vendim politik, hekura e mure, qeli e errësirë që të mund ta zbehin.
Ju përqafoj dhe jam me ju në çdo minutë të kësaj jave!

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko