Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ishte sot në Bulqizë, ku zhvilloi një takim me qytetarët atje. Por ajo që ra në sy ishte paraqitja ndryshe e kryedemokratit, duke mbajtur në kokë, kokoren mbrojtëse të minatorit.
Fjalën e tij, Berisha e nisi me një ndjesë, duke thënë se shteti shqiptar dhe shoqëria kanë qenë të padrejtë ndaj minatorëve të Bulqizës dhe Shqipërisë.
“Baballarët tuaj, njerëzit tuaj, në dekada e dekada, keni derdhur lumenj djerse nëntokë në kushte shumë të vështira me sakrifica të mëdha, herë herë dhe jetën dhe ju nuk keni marrë, nuk jeni shpërblyer asnjëherë për atë që meritoni”, tha Berisha.
Pjese nga fjala e Berishes
Unë kam biseduar në mënyrë të përsëritur me përfaqësuesit tuaj, me kryetarin e sindikatave, Përparimin, Shaqirin, dhe vij para jush me një koncept të ri.
Dhe ky koncept është ky: Shoqëria ka borxh të madh ndaj minatorëve.
Siç ka borxh ndaj pronarëve, ndaj të përndjekurve politikë. Tre janë kategoritë ndaj të cilave shoqëria shqiptare ka detyrime.
Dhe u garantoj se vij i vendosur në mënyrë përfundimtare që ndaj këtyre tre kategorive, borxhi të shlyhet.
Kjo do të thotë se në 100 ditët e para do firmoset dhe do zbatohet statusi i minatorit.
Kjo do të thotë se do parashikohet rrogë minimale 1 mijë euro. Minimalja!
Kjo do të thotë se pensionet tuaja do jenë më të lartat në Shqipëri. Në krye!
Kjo do të thotë, natyrisht bëj një sqarim këtu, sipërmarrësit ne i përgjigjemi që do detyrohet të lëvizë rrogën nga 800 në 1 mijë e më tutje, ne do i përgjigjemi atij. Ne do e lehtësojmë atë në taksa. Ne do ia ulim taksat atij. Ne do ia shesim energjinë atij nga 18 lekë në 6 lekë.
Dhe do bëjmë një gjë shumë të madhe për sipërmarrësin eksportues.
Do kompensojmë qindarkë për qindarkë euron që e shtrinë përdhe trafikantët.
Futet narkoeuro me kontejner dhe këtu ndërmarrja falimenton se ai me euro eksporton.
Por euroja e zhvlerësuar atë e dëmton 35 përqind.
Qëllimi ynë është që këto pasuri botërore, Bulqiza përsëri ka rezerva botërore kromi, absolutisht ua them unë këtë. Janë bërë studime nga kompanitë më të mëdha në botë. Ata më thanë mua se janë akoma edhe 22 milionë ton për t’u shfrytëzuar.
Nuk është vetëm Bulqiza. Shqipëria ka pasuri përrallore minerare. Malet e saj janë mineral.
Kështu që çështja e statusit do jetë një nga çështjet më serioze tona.