Ukraina lëshoi më shumë se njëqind dronë në territorin rus mbrëmë, duke synuar konkretisht Moskën dhe duke prishur funksionimin e disa aeroporteve, ndërsa Rusia përgatitet të festojë 9 majin, Ditën e Fitores ndaj fashizmit në Luftën e Dytë Botërore.
“Forcat e mbrojtjes ajrore rrëzuan të paktën 18 dronë që po shkonin drejt Moskës nga drejtime të ndryshme”, shkroi në Telegram kryetari i bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin.
Mbeturinat e njërit prej droneve ranë në autostradë, por deri më tani nuk ka pasur raportime për dëme serioze apo të lënduar.
Autoritetet raportuan se dronët ukrainas u kapën mbi rajonet e Voronezh dhe Penza. Deri më tani, nuk ka raportime për dëme apo të lënduar atje.
Trafiku ajror në katër aeroporte të Moskës, Sheremetyevo, Domodedovo, Vnukovo dhe Zhukovsky, është pezulluar përkohësisht për arsye sigurie, njoftoi agjencia ruse e lajmeve TASS, duke cituar agjencinë ruse të aviacionit civil Rosaviatsia.
Përveç kësaj, trafiku ajror është pezulluar përkohësisht edhe në aeroportet në Kaluga, rreth 200 kilometra në jugperëndim të Moskës, Saratov, rreth 850 kilometra në juglindje të kryeqytetit, dhe Volgograd, rreth 1,000 kilometra në juglindje të Moskës.
Kujtojmë se ditë më parë, presidenti ukrainas Volodimit Zelensky do deklaronte se Ukraina nuk mban përgjegjësi për çfarë mund të ndodhë më më 9 maj, në paradën e Moskës të fitores mbi fashizmin.
Rusët bombarduan Kharkivin
Në të njëjtën kohë, Ukraina raportoi një sulm me dron rus në qytetin e Kharkiv. Një pallat apartamentesh u përfshi nga flakët, tha kryebashkiaku Ihor Terekhov në Telegram. Deri më tani, nuk ka raportime për viktima.
Ushtria ukrainase tha të martën se forcat e saj kishin qenë të përfshira në operacione luftarake në rajonin Kursk të Rusisë gjatë 24 orëve të fundit, pavarësisht pretendimeve të Moskës se kishte mundur ushtrinë ukrainase në rajon.
Në publikimin e përditshëm të të dhënave në Telegram, ushtria ukrainase theksoi se forcat e saj në sektorin Kursk i zmbrapsën sulmet ruse dhe se janë nën zjarr nga artileria dhe bombat ajrore ruse. /tesheshi.com/