Kryetari FRD-së Sali Shehu, i cili është edhe kandidat për deputet në Tiranë në listën e PD ishte pjese e takimit elektoral në Dibër, ku mbajti edhe një fjalim.
Me nota optimizmi, ai tha se më 11 maj PD dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore do të fitojë, ndërsa theksoi se “pas dimrit vjen pranvera dhe pas errësirës vjen drita”.
Sali Shehu renditi disa nga arritjet që janë bërë në kohën e qeverisë së PD, ndërsa tha se sot “nuk ka asgjë nga ato që lanë në 2013”.
Shehu bëri thirrje që të luftohet dhe të shkohet derë më derë që situata të kthehet në normalitet.
“Pas një dimri vjen pranvera, pas një errësire vjen drita. Edhe ata që sollën errësirën ikën, ju që do kërkoni dritën jeni këtu. Uroj përzemërsisht njeriun që doli me këmbëngulje nga një thellësi e pafundme, ku e hodhi qeveria e Edi Ramës, doli me këmbëngulje sepse kishte të drejtën e vetë, kishte zotin me vete. Na ka dhe ne me vete. Ne së bashku me qeverisjen tonë bëmë rrugën e Arbrit, ne asfaltuam rrugën Kukës-Peshkopi, ne asfaltuam rrugët e fshatrave, ujësjellësa. Ne e dorëzuam Shqipërinë me bujqësi, me arsim, me shëndetësi, me rini në vend. Sot nuk kemi asgjë. Së bashku duhet të luftojmë që ta rikthejmë situatën. Duhet të punojmë së bashku, të shkojmë derë më derë”, tha Shehu.
Një thirrje kishte edhe për kryeministrin Edi Rama: “Dy fjalë për atë çyrykun: Zotrote ke qenë çyryk në fëmijëri, çyryk në rini dhe çyryk në pleqëri. Por dëgjo këtu more pizeveng, Dibra e Gjergj Kastriotit, Dibra e Elez Isufit dhe Vehbi Dibrës, e Nikoll Kaçorit, Dibra e pushkës e penës, e besnikërisë, do të japë përgjigjen që i dhanë paraardhësit tonë me në krye Elez Isufin ushtarëve të Pashiqit. Ti miku i nipit të Pashiqit, do marrësh përgjigjen që morën ushtarët e tij që lanë shapkat nëpër Dibër. Burrat e Dibrës janë si malet, sepse i kanë varret nga Taraboshi në Pogradec, në të gjithë Shqipërinë luftuan këta burra”.