Aksident i rëndë në aksin Fier–Lushnje, përplaset kamioni me ambulancën – katër të plagosur
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur disa minuta më parë në aksin nacional Fier–Lushnje, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Vajkanit”. Një kamion është përplasur me një ambulancë, duke shkaktuar plagosjen e katër personave.
Sipas informacioneve paraprake, dy nga të lënduarit ndodheshin brenda ambulancës në momentin e përplasjes. Të gjithë të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Fier, ku po marrin ndihmën mjekësore të nevojshme. Gjendja shëndetësore e tyre nuk është bërë ende publike.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë, ambulanca të tjera dhe grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti.
Për shkak të përplasjes dhe bllokimit të rrugës, në aksin Fier–Lushnje është krijuar një trafik i rënduar me radhë të gjata automjetesh. Autoritetet po punojnë për normalizimin e qarkullimit.
