Prezantuesja e njohur televizive britanike, Emma Willis, 49 vjeç, ka zbuluar se së fundmi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale me laparoskopi, pasi mjekët zbuluan një vrimë në zemër, një gjendje për të cilën nuk kishte pasur dijeni për afro 50 vjet.
Në një postim në Instagram, ish-prezantuesja e “Big Brother” shkruan: “Para disa javësh, bëra një ndërhyrje kirurgjikale me laparoskopi në zemër – tingëllon e çuditshme edhe ta shkruash, por edhe më e çuditshme kur e thua me zë të lartë”.
“Rezulton se për 48 vite kam jetuar pa e ditur që kisha një vrimë në zemër. Është e pabesueshme sa shumë ndodhi ndodhin në trupin tonë pa u kuptuar fare.”
Përvoja e saj vë në pah rëndësinë e të qenit të vetëdijshëm për problemet e mundshme me zemrën, edhe kur nuk kemi asnjë simptomë të dukshme.
Në këtë kontekst, kardiologu Dr. Oliver Segal ka identifikuar gjashtë shenja paralajmëruese që nuk duhen neglizhuar:
- Dhembje apo siklet në kraharor
Dhembja në kraharor, që shpesh ngatërrohet me probleme të tretjes apo mungesë aktiviteti fizik, mund të jetë shenjë e anginës apo e një ataku kardiak në zhvillim.
“Në mënyrë klasike – por kjo mund të ndryshojë nga personi në person – është një dhembje e topitur në mes të kraharorit, që shfaqet zakonisht gjatë aktivitetit fizik dhe largohet kur pushoni,” shpjegon Dr. Segal.
- Vështirësi në frymëmarrje
Problemet me frymëmarrjen shpesh i atribuohet infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes apo probleme me mushkëritë.
“Por ajo mund të jetë sinjal i problemeve me zemrën apo çrregullimeve të ritmit kardiak,” thekson mjeku.
Në rastet e tilla, ajo përkeqësohet gjatë aktivitetit fizik. Nëse problemi lidhet me ritmin, si në rastin e fibrilacionit atrial, mund të ndodhë edhe në gjendje qetësie.
- Dhimbje që përhapet në krahun e majtë
“Dhimbja e zemrës zakonisht përhapet në krahun e majtë,” thotë Segal.
“Kjo ndodh për shkak të rrugëve të përbashkëta nervore midis zemrës dhe krahut. Truri mund të ‘keqkuptojë’ origjinën e dhimbjes për shkak të këtyre lidhjeve nervore.”
- Palpitacione
Rrahjet e çrregullta të zemrës – të njohura si palpitacione – shpesh lidhen me stresin, por mund të jenë shenjë e aritmisë.
“Fibrilacioni atrial është një nga shkaqet më të zakonshme. Edhe pse shpesh janë të padëmshme, palpitacionet e shpeshta mund të jenë shenjë që keni probleme me muskulin e zemrës” thotë ai.
- Lodhje ekstreme
Lodhja mund të vijë për shumë arsye, por në disa raste mund të jetë tregues i problemeve me zemrën.
“Fibrilacioni atrial dhe dështimi i zemrës shpesh shoqërohen me ndjesi të vazhdueshme lodhjeje dhe plogështie,” shton Segal.
- Marramendje
“Ndjesia e marramendjes është normale kur ngrihemi shpejt, por nëse ndodh shpesh ose është e fortë, mund të jetë sinjal i një ritmi jo normal të zemrës – qoftë shumë i ngadalshëm apo shumë i shpejtë,” paralajmëron mjeku.
Nëse ju ndodh që t’ju duhet të kapeni për diçka për të mos rënë, atëherë është koha të kërkoni ndihmë mjekësore.
Çfarë duhet të bëni nëse përjetoni këto simptoma?
“Nëse keni simptoma të forta, si dhimbje në kraharor apo mungesë të rëndë frymëmarrjeje, duhet të shkoni menjëherë në urgjencë,” këshillon Dr. Segal.
“Por nëse janë të lehta, vizita te mjeku i familjes është një hap i duhur. Ai mund të kontrollojë tensionin, pulsin dhe të dëgjojë zemrën. Shumë mjekë kanë gjithashtu mundësinë të bëjnë një EKG, që mat aktivitetin elektrik të zemrës.”/ Shendeti.com.al/ Burimi: Independent