Skip to content

Tenderi i çuditshëm i Policisë së Shtetit: 38 mijë euro për të marrë 1 makinë me qira! Më lirë t’i blesh

Fondi i këtij tenderi është 450 milionë lekë ose nëse do e konvertojmë në euro, 4.5 milionë euro

Fiks Fare denoncoi një procedurë tenderi, të hapur nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, për të marrë me qira makina për Policinë e Shtetit.

Pak ditë më parë, ky Operator hapi tenderin me objekt “marrje mjetesh rrugore me qira” për Policinë e Shtetit. Fondi i këtij tenderi është 450 milionë lekë ose nëse do e konvertojmë në euro, 4.5 milionë euro.

Fiks Fare shfletoi dokumentet e këtij tenderi ku rezulton se Policia e Shtetit do të marrë 60 mjete SUV dhe 60 mjete SEDAN. Mjetet SUV janë pak të larta, gjysmë foristradë, ndërkohë që mjetet SEDAN janë mjete të ulëta. Pra, në total, Policia e Shtetit do të marrë 120 mjete me qira.

Në dokumente është vënë edhe një klauzolë, e tipit “ruajtje e imazhit profesional”.

Arsyetimi i shtetit është se kjo do të mundësojë efikasitet dhe ruajtje të imazhit të institucionit”.

Afati kohor për marrjen e këtyre mjeteve me qira është 4 vite. Çka do të thotë se, mjetet do të merren në përdorim për Policinë e Shtetit për një afat 4 vjeçar, ndërkohë që pas përfundimit të këtij afati, këto mjete do t’i dërgohen firmës që do të shpallet fituese e tenderit.

Në dokumente citohet se pronësia i ngel koncesionarit, i cili merret edhe me lejen e qarkullimit, nxjerrjen e targave apo edhe taksat. Madje, merret edhe me logimin, serviset rutinë dhe vendos GPS në makina.

Fiks Fare bëri një kalkulim se sa do t’i kushtojë buxhetit të shtetit marrja e një makine me qira për 4 vite nga Policia e Shtetit. Në dokumente, saktësohet se do të merren 60 copë makina “SEDAN” me qira për Policinë e Shtetit.

Fondi për këtë lot është 2.257.623 euro. Nëse do të bëjmë një llogaritje të thjeshtë, rezulton se 1 makinë SEDAN do të merret me qira për 4 vjet për 37.627 euro. Ndërkohë, fondi për makina SUV me qira, është 2.307.309 euro. Në dokumente shkruhet se do të merren me qira 60 makina SUV. Me një llogaritje sërish të thjeshtë rezulton se 1 makinë SUV do të merret me qira për vlerën e 38.455 euro!

Nga kalkulimet që bëri emisioni Fiks Fare rezulton se marrja e një mjeti me qira për 4 vite nga Policia e Shtetit është më shtrenjtë se sa këto mjete të blihen nga Policia e Shtetit.

Fiks Fare bëri një vëzhgim duke shkuar te Koncesionarët e makinave duke e pyetur se sa kushton një makinë me këto parametra të shpallura në tenderin. Është më lirë t’a blesh apo është më lirë ta marrësh me qira?!

Gazetarët shkruan në një firmë koncesionare që shet makina, duke u treguar karakteristikat e mjeteve, që janë në dokumentet e tenderit. Punonjësi i bëri me dije se aktualisht kanë vetëm makina “SUV”.

Ata i dhanë gazetarit të Fiks Fare një dokument, ofertë me të dhëna të makinës. Në total, bashkë me TVSH-në, makina kushton 35.083 euro. Garancia është 5 vite, pa limit kilometrash. Shërbimet janë 1 vit, 10 mijë kilometra.

Fiksi shkoi në një tjetër koncesionar makinash, duke u treguar punonjësve karakteristikat e makinave që kërkon Policia e Shtetit.

Çmimi që dha ky punonjës është më lirë sesa çmimi që Policia e Shtetit do t’i marrë me qira për 4 vite!

Gazetarët shkuan në një tjetër firmë, ku gazetari i kërkoi punonjësit 10 makina për të blerë, me 0 kilometra. Në të njëjtën ditë, ai i dërgon Fiksit disa oferta dhe disa variante. Çmimi për 1 makinë SEDAN kushton nga 15 deri në 18 mijë euro.

Pra, rreth 20 mijë euro më pak sesa çmimi që Policia e Shtetit do të marrë 1 makinë me qira për 4 vite.