Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit një detaj i vogël, por i rëndësishëm ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe të analistëve politikë: mungesa e flamurit socialist në fushatën elektorale të Partisë Socialiste.

Në vend të trendafilit të njohur, simboli tradicional i socialistëve, Edi Rama dhe kandidatët e tjerë janë parë me një dizajn të ri, një yll të verdhë e blu me elemente të kuqe dhe të zeza, një kombinim që të sjell në mendje flamurin e Bashkimit Europian dhe elemente kombëtare shqiptare.

Por përveç këtyre simboleve, të sjell në mendje edhe lidhjen me një strategji të ngjashme nga fushatat e Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Asokohe të drejtuar nga Lulzim Basha, demokratët të sapodalë nga çadra 3-mujore e lirisë, siç u pagëzua nga vetë të djathtët, nisën fushatën elektorale me disa ndryshime rrënjësore. “Republika e re. Ekonomi e fortë, e nesërme e sigurt” ishte slogani që udhëhoqi fushatën e demokratëve.

Mbas një humbjeje të rëndë si ajo e 2013-s, synohej kthesa dhe për ta bërë këtë nevojiteshin ndryshime. Faqja e web-it ishte pasqyrimi i parë i këtyre ndryshimeve e cila u kthye në “demokratët.al” dhe simbolet e partisë u zëvendësuan nga simbolet dhe ngjyrat kombëtare.

Dy situata, një strategji: Kombëtarizimi i simbolikës

Deri këtu kemi dy parti të ndryshme, që në situata tërësisht të ndryshme, zgjedhin rrugën e njëjtë – “zhdukjen” e simboleve partiake dhe zëvendësimin e tyre me simbole kombëtare.

Por çfarë fshihet pas këtij ndryshimi të papritur nga Partia Socialiste, e cila vjen në këto zgjedhje pas 3 mandateve në krye?

Një nga arsyet kryesore për zhdukjen e simbolikës tradicionale mund të jetë përpjekja për të kapërcyer përtej identitetit të një partie politike dhe për t’u shfaqur si një forcë kombëtare. Mesazhi i nënkuptuar i Ramës gjatë kësaj fushate ka qenë i qartë: “Nuk ka parti, por ka Shqipëri.”

Kështu, simbolika e re përpiqet të minimizojë ndarjet ideologjike dhe të përcjellë idenë e unitetit kombëtar – një qasje që përpiqet të shfrytëzojë edhe pakënaqësitë e votuesve që ndihen të distancuar nga politika klasike partiake.

“Zhdukja” e së kaluarës

Por përveç përpjekjes për të kapërcyer identitetin partiak, ky veprim mund të lexohet edhe si një përpjekje për të “zhdukur“ të kaluarën.

Në këtë kontekst, zhdukja e trëndafilit nuk është thjesht një zgjedhje estetike, por një përpjekje për të kamufluar rrënjët partiake dhe për të devijuar vëmendjen nga dështimet e së kaluarës. Edi Rama e di se pas tri mandateve, çdo simbol socialist që lidhet me qeverisjen e deritanishme mund të jetë një kujtesë e lodhjes dhe zhgënjimit publik. Prandaj, duke adoptuar një simbolikë kombëtare dhe europiane, ai përpiqet të zhvendosë diskursin nga e shkuara drejt një të ardhmeje të re dhe të freskët.

Në këtë mënyrë, “kthesa kombëtare” të jep idenë e një përpjekjeje për të zhdukur “vjetërsinë” dhe konsumimin e identitetit socialist dhe për të krijuar iluzionin e një partie të re, të papërlyer dhe të pandikuar nga vitet e pushtetit. E ardhur kjo në kushtet e një konteksti brutal për Partinë Socialiste si arrestimet e disa eksponentëve kryesorë të saj, riformatimi ka qenë një detyrim për shkëputje “nga e kaluara”.

Mos vallë petalet e trëndafilit socialist u lanë mënjanë sepse janë tepër të brishta dhe delikate për ta mbrojtur këtë herë kryetarin e tyre përballë elektoratit skeptik dhe kërkon mburojë prej shqiponjës dykrenare së bashku me yjet e Bashkimit Europian? Apo mos vallë lideri i majtë po i ruan petalet e trëndafilit socialist për t’i stolisur ato në shtratin martesor të një çifti të ri në horizont si Shqipëria dhe Bashkimi Europian?

Kjo mbetet për t’u parë pas 11 majit, kur fushata e re do të testohet përballë votuesve shqiptarë.

Një tentativë për të rrëmbyer zonën gri të elektoratit?

Në një vend ku ndarja politike mes të majtës dhe të djathtës është theksuar prej dekadash, heqja e simbolikës socialiste mund të shihet si një përpjekje për të fituar mbështetjen e votuesve të pavendosur ose të ashtuquajturës “zonë gri”.

Në fakt, në zgjedhjet e fundit, kjo kategori votuesish ka rezultuar vendimtare për rezultatin e përgjithshëm.

Kushdo që nuk e njeh kontekstin shqiptar dhe vjen për një vizitë të shpejtë në Shqipëri do të kujtojë që të paktën nga forma, por jo narrativa, se ka të bëjë me një parti krejtësisht të re. Dhe mbase do ta pagëzojë me emrin “Partia me Edin Për Europën”.

Politika e simbolikës – Një strategji për të fituar terren?

Ndryshimi i simbolikës nuk është i pazakontë në botën e politikës. Shpesh, liderët dhe partitë politike kërkojnë të ripërcaktojnë imazhin e tyre për të tërhequr votues të rinj ose për të rikuperuar mbështetjen e humbur.

Në këtë rast, heqja dorë nga simbolet e dukshme të Partisë Socialiste dhe zëvendësimi i tyre me një simbol të ri që përfshin ngjyrat kombëtare dhe ato europiane mund të shihet si një përpjekje për të siguruar mbështetjen e atyre që janë të lodhur nga politikat e së shkuarës dhe kërkojnë një vizion të ri për të ardhmen.

Lulzim Basha me “Republikën e re” të tij, pati një rezultat jo dhe aq të ri në fund të zgjedhjeve të 2017-s, duke ndjekur tatëpjetën e nisur në vitin 2013.

Në debutimin e “Republikës së re”, demokratët morën 28.85% të votave kundrejt 48.34% të votave nga kundërshtarët socialistë.

Dështim ky që pati pasoja të cilat Partia Demokratike po i ndjen edhe ditët e sotme, siç ishte përçarja brenda partisë, e nisur nga figura me peshë në ato vite si: Jozefina Topalli, Astrit Patozi dhe Eduard Selami.

Rikthimi i menjëhershëm i ngjyrave dhe simboleve tradicionale të Partisë Demokratike nuk e ndryshoi situatën në vitet që pasuan.

Për të ardhur në ditët e sotme, pak orë para zgjedhjeve, ku kundërshtarët historikë të së djathtës, edhe pse në rrethana shumë më komode, ndoqën “të njëjtën” strategji.

Nga Darko Vurmo

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko