Skip to content

Francezët ia thonë në sy Serbisë: Nuk të duam në BE

Screen Shot 2019 04 05 at 10.15

Francezët ia kanë thënë në sy Serbisë se nuk e duan në gjirin e BE-së, madje as në vitin 2025. Ky ishte qëndrimi pothuajse njëzëri i 9 prej 12 kandidatëve të partive franceze për zgjedhjet e Parlamentit Europian.

Gjuha politike e pretendentëve për karriget e PE-së dukej mjaft e ashpërsuar, dhe treguan qartë se ata nuk përkrahin zgjerimin e BE-së më tutje.

Hyrja e Serbisë në bllokun europian ishte një prej pyetjeve, me të cilat u përballën kandidatët në debatin televiziv “L’Émission politique”, mbajtur në televizionin shtetëror francez, ku patën mundësinë të paraqitnin platformat e tyre.

Rezultati i përgjigjeve ishte: 9 butona të kuq, dy jeshilë dhe një abstenim. Butonat e kuq ishin kundërshtim i hapur, gjë që duhet të shqetësojë Beogradin.

Mes zërave kundër ishte edhe ai i ish-ministres së Çështjeve Europiane, Nathalie Loiseau, e cila vizitoi Beogradin në muajin mars.

“Gjendja aktuale e bllokut nuk e lejon zgjerimin e mëtejshëm të tij. Serbia ka bërë progres të madh, por Franca, si mike e vërtetë është e detyruar t’i thotë të vërtetën”, ka qenë komenti i Loiseau.