Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila ka qenë në konflikt me shtetin turk për më shumë se katër dekada, ka vendosur të shpërbëhet dhe t’i japë fund luftës së armatosur.
“Kongresi i 12-të i PKK-së vendosi të shpërbëjë strukturën organizative të PKK-së dhe t’i japë fund metodës së luftës së armatosur”, tha organizata e armatosur kurde në një deklaratë, e cila më parë kishte njoftuar se kishte mbajtur një kongres javën e kaluar.
Kësaj i parapriu në shkurt mesazhi i udhëheqësit të PKK-së, Abdullah Oçalan, i cili u kishte kërkuar anëtarëve të organizatës kurde të dorëzonin armët e tyre.
Deklarata e udhëheqësit të burgosur të PKK-së u lexua nga deputetët e Partisë pro-kurde të Lirisë dhe Demokracisë së Popullit (DEM) në një takim të mbajtur në Stamboll.
“Zgjidhja” e çështjes kurde dhe heqja dorë nga lufta e armatosur nga PKK-ja, e themeluar nga Oçalan në vitin 1978, vlerësohet se do ta forcojë ndjeshëm Turqinë, do të neutralizojë përfundimisht tendencat separatiste dhe do t’i bëjë marrëdhëniet e saj me Iranin dhe Irakun, ku banojnë pakica të konsiderueshme kurde, më të menaxhueshme.
Pritet që një proces i ri paqeje t’i japë fund përfundimisht vizionit të nacionalizmit kurd për krijimin e një shteti të pavarur kurd në Lindjen e Mesme, i cili përbën edhe kërcënimin më të madh të sigurisë për vetë Turqinë.
Me këtë zhvillim, Erdogan arrin një ndër fitoret më të mëdha politike e diplomatike në kohën e tërmeteve të rënda gjeopolitike, ku Turqia është fuqia e rikthyer globale nga e cila varan pashmangshëm shumë zhvillime. /tesheshi.com/