Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) vendosi se Rusia është përgjegjëse për rrëzimin e një aeroplani malajzian mbi Ukrainë në vitin 2014, duke vrarë të 298 personat në bord, njoftoi qeveria holandeze.
Në njoftim thuhet se Këshilli i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil do të shqyrtojë formën dhe shumën e kompensimit në javët në vijim.
Aeroplani, që operonte fluturimin MH17 të Malaysian Airlines, u nis më 17 korrik 2014 nga Amsterdami i Holandës, me destinacion Kuala Lumpurin, kryeqytetin e Malajzisë. Ai u rrëzua ndërsa fluturonte mbi Ukrainën lindore, mes armiqësive midis separatistëve pro-rusë dhe forcave të armatosura ukrainase.
Në nëntor 2022, drejtësia holandeze kishte dënuar në mungesë dy rusë dhe një ukrainas për rolin e tyre në sulm. Moska e quajti vendimin “skandaloz” dhe e bëri të qartë se nuk do t’i ekstradonte qytetarët e saj.
Në vitin 2022, Australia dhe Holanda ndërmorën veprime ligjore kundër Federatës Ruse për rrëzimin e avionit malajzian.
“Vendimi është një hap i rëndësishëm drejt zbulimit të së vërtetës dhe ofrimit të drejtësisë dhe llogaridhënies për të gjitha viktimat e fluturimit MH17, familjet dhe të dashurit e tyre”, tha ministri i Jashtëm holandez Kaspar Feldkamp. “Ky vendim gjithashtu i dërgon një mesazh të qartë bashkësisë ndërkombëtare: shtetet nuk mund ta shkelin ligjin ndërkombëtar pa u ndëshkuar”, shtoi ai.
Holanda dhe Australia po i kërkojnë Këshillit të ICAO-s që t’i kërkojë Rusisë të marrë pjesë në negociatat për pagesën e kompensimit, theksoi Feldkamp. /tesheshi.com/