Kur përmenden çrregullimet e tiroides, shumica i lidhin ato me të rriturit. Por në të vërtetë, problemet me tiroiden janë ndër çrregullimet endokrine më të zakonshme tek fëmijët e moshës shkollore. Vlerësohet se rreth 37 në çdo 1,000 fëmijë preken nga sëmundje të tiroides.
Tiroidja prodhon hormone jetike për funksionimin normal të çdo qelize në trup. Kur kjo gjëndër nuk funksionon siç duhet, mund të ndikojë në rritjen, zhvillimin dhe metabolizmin e fëmijës – në varësi të llojit të çrregullimit.
Më poshtë do të gjeni informacion mbi rolin e tiroides në trupin e fëmijëve dhe çrregullimet më të zakonshme që mund të shfaqen.
Çfarë funksioni ka tiroidja?
Tiroidja është një gjëndër e vogël në formë fluture që ndodhet në pjesën e përparme të qafës, pak poshtë mollëzës së Adamit. Edhe pse e vogël, ajo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Hormonet që prodhon qarkullojnë në të gjithë trupin dhe ndihmojnë në rregullimin e rritjes, pubertetit, metabolizmit dhe shumë proceseve të tjera trupore.
Cilat janë çrregullimet më të zakonshme të tiroides tek fëmijët?
Dy çrregullimet më të përhapura janë:
- Hipotiroidizmi – kur tiroidja prodhon më pak hormone se sa ka nevojë trupi
- Hipertiroidizmi – kur tiroidja prodhon më shumë hormone se sa është e nevojshme
Më rrallë, fëmijët mund të preken edhe nga kanceri i tiroides ose nodujt tiroide (masa ose toptha në gjëndër).
Hipotiroidizmi tek fëmijët
Ky çrregullim ndodh kur tiroidja nuk prodhon mjaftueshëm hormone. Si pasojë, shumë funksione trupore ngadalësohen, përfshirë metabolizmin.
Simptomat e zakonshme të hipotiroidizmit përfshijnë:
- Kapsllëk
- Lëkurë të thatë
- Lodhje e vazhdueshme
- Të paturit ftohtë gjatë gjithë kohës
- Rënie flokësh
- Cikël menstrual i çrregullt (tek vajzat)
- Probleme me kujtesën ose përqendrimin
- Rritje e ngadalësuar
- Plogështi ose përgjumje
Hipotiroidizmi mund të jetë kongjenital (i lindur) – dhe zakonisht zbulohet në analizat e detyrueshme pas lindjes – ose i fituar gjatë fëmijërisë apo adoleshencës.
Shkaku më i zakonshëm është tiroiditi Hashimoto, një sëmundje autoimune që dëmton gjëndrën tiroide. Kjo gjendje është shumë më e përhapur tek vajzat (1 në 300), ndërsa tek djemtë haset më rrallë (1 në 1,000).
Hipertiroidizmi tek fëmijët
Hipertiroidizmi ndodh kur tiroidja është tepër aktive dhe prodhon sasi të tepërt hormone, duke përshpejtuar funksionet trupore.
Simptomat më të zakonshme përfshijnë:
- Diarre
- Vështirësi në përqendrim
- Ndjesi e vazhdueshme nxehtësie ose përvëlimi trupor
- Rritje e përshpejtuar në gjatësi
- Oreks i shtuar
- Cikël menstrual i çrregullt (tek vajzat)
- Nervozizëm ose irritim
- Dobësi muskulore
- Dridhje të duarve
Shkaku më i zakonshëm është sëmundja e Graves, një tjetër çrregullim autoimun që stimulon prodhimin e tepërt të hormoneve tiroide. Në disa raste, hipertiroidizmi mund të vijë edhe si pasojë e inflamacionit apo pranisë së nodujve në tiroide.
Si diagnostikohen problemet me tiroiden tek fëmijët?
Nëse dyshoni se fëmija juaj ka një çrregullim të tiroides, pediatri është personi i parë që duhet të konsultoni. Për shkak të përhapjes së këtyre problemeve, testet për tiroide janë bërë tashmë pjesë e kontrollit të zakonshëm të fëmijëve.
Diagnostikimi zakonisht bëhet me një analizë gjaku, që mat nivelet e hormoneve tiroide në organizëm.
Nëse konstatohet një çrregullim, endokrinologu pediatrik do të ndihmojë në përcaktimin e shkakut dhe në hartimin e një plani trajtimi të personalizuar për të menaxhuar gjendjen./ Shendeti.com.al / Burimi: Children’s Health