Njoftim nga Drejtoria e MZSH, Bashkia Berat :Reagim i shpejtë ndaj një zjarri në lagjen “Çlirimi”
Drejtoria e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi pranë Bashkisë Berat ka reaguar menjëherë pas marrjes së një njoftimi për rënie zjarri në një banesë në lagjen “Çlirimi”, pranë zonës së njohur si “Ypsiloni”, në katin e pestë të një pallati.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendngjarje u nisën grupi i shërbimit dhe 3 mjete zjarrfikëse. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të forcave zjarrfikëse, zjarri u izolua dhe u shua në një kohë rekord, duke parandaluar përhapjen e tij në pjesë të tjera të banesës apo ndërtesës.
Zjarri kishte përfshirë vetëm ballkonin e banesës, duke shkaktuar dëme minimale materiale, pa pasoja në njerëz.
Drejtoria e MZSH falënderon qytetarët për njoftimin në kohë dhe rikujton rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes komunitetit dhe strukturave të emergjencës për të garantuar sigurinë e jetës dhe pronës.
