Tirana do të mirëpresë më 16 maj Samitin e 6-të të Komunitetit Politik Evropian, një ngjarje e rëndësishme që sjell në kryeqytetin shqiptar 47 liderë nga i gjithë kontinenti.

Samiti, i organizuar nga Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa dhe Kryeministri Edi Rama, do të mbahet në sheshin “Skënderbej”, nën moton “Evropa e re në një botë të re: unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”. Agjenda zyrtare e samitit parashikon nisjen e ceremonisë hapëse në orën 11:00, e ndjekur pas 45 minutash nga seanca plenare e parë, ku liderët do të diskutojnë mbi sigurinë dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen e Evropës.

Pas drekës, janë planifikuar takime bilaterale, ndërsa në orën 18:30 do të mbahet konferenca përmbyllëse e përbashkët nga Kryeministri Rama dhe homologu i tij danez. Ambientet e samitit janë ngritur pas monumentit të Skënderbeut, ndërsa pjesa ballore e tyre është dekoruar me vizatime të nxënësve shqiptarë mbi perceptimin e tyre për Evropën. Në këtë kontekst, Kryeministri Rama i drejtohet Skënderbeut, duke theksuar se “më 16 maj të gjithë ata do të mblidhen nga të katërta anët e Europës në sheshin tënd, o mbret”. Ai vazhdon duke shtuar se, “edhe ne, stërnipërit e tu, do të jemi të gjithë krenarë për emrin e Shqipërisë tonë, që do të shqiptohet në të gjitha gjuhët e botës”.

Pritja zyrtare e liderëve do të zhvillohet përpara Muzeut Historik Kombëtar, për t’u zhvendosur më pas drejt godinës së Operës dhe më tej në strukturat e posaçme të ndërtuara për këtë ngjarje. Tryezat tematike të nivelit të lartë do të trajtojnë sfidat e sigurisë dhe qëndrueshmërisë demokratike në Evropë, konkurrueshmërinë dhe sigurinë ekonomike, lëvizshmërinë, si dhe fuqizimin e të rinjve në nivel kontinental. Pjesëmarrja në këtë samit konfirmon rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Shqipërisë në proceset politike evropiane.

Të pranishëm do të jenë liderë si Kryeministri britanik Keir Starmer, Presidenti francez Emmanuel Macron, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, Kryeministri polak Donald Tusk, Presidenti turk Recep Tayip Erdogan dhe shumë të tjerë. Disa prej liderëve pritet të mbërrijnë një ditë më parë për takime me Kryeministrin Rama.

Zyrtarisht është konfirmuar se Kryeministri britanik, Starmer, do të mbërrijë sot, nga ku do të shpallë masa të reja kundër emigracionit të paligjshëm dhe grupeve kriminale që trafikojnë njerëz drejt Britanisë së Madhe. Komuniteti Politik Evropian u krijua si platformë e përbashkët politike për të forcuar bashkëpunimin dhe stabilitetin në kontinent. Takimi në Tiranë është dëshmi e rolit strategjik të Ballkanit në arkitekturën e sigurisë dhe bashkëpunimit evropian.

/Gazeta Panorama

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko