
Ish-ministri Arben Malaj në intervistën për gazetën Mapo ka analizuar situatën e brendshme në PS. Ai thotë se dikur kjo parti i shërbente vendit me modelin e debatit të brendshëm. Sot, për Malajn ato kohë kanë mbaruar.
“Duhet të kuptojmë që partitë politike nuk janë qëllim në vetvete, por kontribuojnë në demokracinë e vendit dhe askush nuk mund të pretendojë “kjo është partia ime””.
Malaj shton se: “Fakti që nuk ka debat, për mua nuk është pozitive, sepse debati nuk e dobëson PS-në përballë PD-së, ose përballë opinionit publik. Ajo që e dëmton PS-në është nëse qytetarët e këtij vendi vlerësojnë se të gjithë janë njësoj. PS nuk duhet ta humbiste statusin e modelit për demokracinë brenda partive politike. Nëse ka një problem, duhet të diskutohet, fshehja e problemit është si fshehja e një sëmundjeje, që çdo ditë e më shumë të vret, dhe çdo ditë e më shumë bëhet më e vështirë për ta luftuar/kuruar”.
Sipas Malajt, shqetësimi kryesor sot në vend, është reduktimi i pushtetit në pak duar.
“Shqetësimi kryesor që unë iniciova në PS, ishte reduktimi i disa pushteteve në pak duar dhe reduktimi i pushteteve për një kohë të gjatë në pak duar. Ky model pushteti prodhon arrogancë, qeverisje me forcën e dhunës dhe jo me ndjesi njerëzore. Duhet qeverisur jo me gjoba, por me zemër. Sot nuk shtrohet problemi a kemi korrupsion, por problemi më i madh i partive politike të pamodernizuara që vijnë në pushtet, është kapja e shtetit. Me kapjen e shtetit nënkuptohet krijimi i nje shteti paralel, ku i dyti nënshtron të parin, i cili i vihet në shërbim të dytit. I pari, shteti i zgjedhur që bën biznes me statuset politike, ndërsa i dyti, shteti i të fortëve bën politikë me bizneset e tyre, duke influencuar të përcaktojnë lojtarët/drejtuesit politikë në bashki dhe qeveri. Fenomene të tilla janë shumë të largëta në historinë e vendeve demokratike, por shfaqen dhe rishfaqen në realitetin tonë politik”.
