Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, gjatë një vizite zyrtare në Tiranë, vlerësoi bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Britanisë në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, duke theksuar se ky partneritet ka sjellë një ulje drastike të numrit të shqiptarëve që mbërrijnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar me gomone, nga rreth 12.000 në një rënie prej 94%.
Megjithatë, kur u pyet nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, nëse qeveria britanike do të rrisë kuotat për viza punësimi sezonale për qytetarët shqiptarë si një mënyrë për të frenuar trafikimin e tyre, Starmer nuk dha një përgjigje konkrete. Ai u shpreh se diskutimet ishin fokusuar te efektiviteti i bashkëpunimit të deritanishëm dhe mundësia e zgjerimit të këtij modeli në vende të tjera të rajonit.
“Diskutuam se si kjo punë përmes kësaj skuadre të përbashkët mund të shtrihet në vende të tjera të rajonit dhe si mund ta bëjmë këtë më efektive,” tha ai, duke shtuar se të dy palët janë të përkushtuara të mos mbeten te diskutimet, por të veprojnë për zgjidhjen e problemeve si emigracioni i paligjshëm dhe aktivitetet kriminale ndërkufitare.
“Ky model i veçantë ka qenë më efektivi dhe kryeministri dhe unë mendojmë njësoj në kuptimin që nuk preferojmë të flasim për problemin dhe t’i biem rreth e rrotull herë pas here, por të përveshim mëngët, të punojmë e ta zgjidhim atë,” përfundoi Starmer.
