Në prag të negociatave të shumëpritura për armëpushimin në Ukrainë, tensionet diplomatike dhe spekulimet për një takim të nivelit të lartë mes liderëve botërorë po rriten. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, njoftoi se bisedimet midis delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll janë shtyrë për të enjten pasdite, ndërsa prania e liderëve si Vladimir Putin, Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump mbetet ende e paqartë.
Ndërsa delegacionet teknike tashmë ndodhen në Turqi, mundësia e një takimi kokë më kokë midis liderëve kryesorë dhe ndoshta edhe me Presidentin turk Erdogan si ndërmjetës – nuk është përjashtuar. Trump ka deklaruar se “do të shkojë nëse është e nevojshme” dhe se Putin nuk do të shfaqet pa praninë e tij, duke lënë hapur mundësinë e një “surprize diplomatike” të minutës së fundit. “Po mendoja të shkoja, por është shumë e vështirë,” tha Trump, duke shtuar se mund të jetë i pranishëm të premten.
Presidenti ukrainas Zelensky ka mbërritur në Ankara dhe është shprehur i vendosur se do të ketë një “zgjidhje të drejtë”, ndërsa nuk ka kursyer kritika për delegacionin rus, të cilin e cilësoi si “dekorativ”. Kremlini reagoi me ashpërsi, duke e quajtur Zelensky-n një “klloun dhe humbës që flet për njerëz të respektueshëm”.
Nga ana tjetër, Vladimir Putin nuk figuron në listën zyrtare të pjesëmarrësve, por historia e takimeve të tij të paparashikueshme ka bërë që prania e tij të mos përjashtohet plotësisht. Në të vërtetë, fakti që bisedimet po zhvillohen në Turqi – një vend që ai vetë e ka propozuar për negociata – është një sinjal i mundshëm për një manovër diplomatike të minutës së fundit.
Ndërkohë, BE po kërcënon Rusinë me një raund të ri sanksionesh, duke shtuar presionin mbi Moskën, por edhe duke ngritur dyshime se kjo mund të jetë një përpjekje e Putinit për të blerë kohë. Udhëheqësit europianë, përfshirë Emmanuel Macron, kanë shprehur skepticizëm për seriozitetin e përfshirjes ruse.
Qëllimi i takimeve mbetet i qartë: një armëpushim i qëndrueshëm dhe adresimi i shkaqeve të thella të konfliktit në Ukrainë. Por pyetja që mbetet pa përgjigje është: A do të shohim një tryezë historike me Trump, Putin, Zelensky dhe Erdogan, apo gjithçka do të mbetet në nivel delegacionesh pa ndikim real në terren? Përgjigjja mund të vijë më shpejt seç pritet, ndoshta të premten.
