Skip to content

Pësoi infarkt, ndërron jetë në krye të detyrës mjeku pediatër i QSUT-së, Bashkim Nezaj

Është ndarë nga jeta orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje mjeku i njohur pediatër në QSUT, Bashkim Nezaj.

Mësohet se ai ka ndërruar jetë teksa ishte në krye të detyrës, duke i shërbyer fëmijëve në Spitalin Pediatrik të Fëmijëve në Tiranë, gjatë turnit të natës.

Sipas njoftimit nga QSUT dhe postimeve të miqve në rrjete sociale, mjeku tropojan humbi jetën si pasojë e një infarkti.

Ai ishte në shërbimin e mjekut të rojës kur u nda nga jeta, duke dhënë frymën e fundit në vendin e punës, ku për vite me radhë ai shërbeu me përkushtim të plotë ndaj fëmijëve të sëmurë mbi 20 vite.

Reagimi i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”:

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Dr. Bashkim Nezaj. Një profesionist i përkushtuar, një njeri i qetë dhe i dashur, një mjek që ia kushtoi jetën dhe zemrën shërbimit ndaj fëmijëve. Për më shumë se 20 vite, Dr. Bashkimi ka qenë pranë çdo vogëlushi që ka kaluar pragun e Pediatrisë, duke u bërë shembull i humanizmit dhe profesionalizmit të rrallë.

Humbja e tij është një dhimbje e madhe për familjen, kolegët dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin e të punonin me të.

Prehu në paqe, doktor Bashkimi. Kontributi yt nuk do të harrohet kurrë”.

“”