Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, ka ngritur shqetësimin për moszbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe ka kërkuar urgjentisht ndryshimin e sistemit elektoral në vend.
Sipas Milos, rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë nuk janë respektuar, duke çuar në ripërsëritje të fenomeneve negative nga një palë zgjedhje në tjetrën.
“Po qe se në Shqipëri nuk ndryshon sistemi elektoral, ne nuk do garantojmë asnjëherë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh ai.
Ai vuri në dukje ndërhyrjen që ndodhi në vitin 2008 në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, të cilën e cilësoi si “brutale” dhe burim të padrejtësive të sotme në përfaqësimin parlamentar.
“Një parti që merr 60 apo 70 mijë vota dhe ka vetëm një përfaqësues në Kuvend është një padrejtësi e madhe për votuesit”, shtoi Milo.
Ai theksoi se ky sistem favorizon dy partitë kryesore, PS dhe PD, të cilat sipas tij nuk kanë vullnet politik për ta ndryshuar, pasi janë përfituesit kryesorë të këtij modeli përjashtues.
Paskal Milo: Rekomandimet e OSBE-ODIHR në Shqipëri për fat të keq, nuk janë respektuar dhe nuk janë zbatuar. Është një nga arsyet pse edhe kemi ripërsëritje të fenomeneve negative nga një palë zgjedhje në zgjedhje tjetër.
Po qe se në Shqipëri nuk ndryshon sistemi elektoral, ne nuk do garantojmë asnjëherë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edhe këtë herë u vu re një fenomen i çuditshëm që nga 2008 kur u bë ajo ndërhyrje brutale në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor dhe ka krijuar këto hapësira për keqinterpretim dhe keqzbatim të kodit zgjedhor. Sepse një Parti politike që merr 60 mijë ose 70 mijë vota dhe ka një përfaqësues në Kuvendin e Shqipërisë është një padrejtësi e madhe që i bëhet këtyre votuesve që kanë shprehur vullnetin e tyre në një sistem që quhet demokratik dhe duhet të pasqyrohet në Kuvendin e Shqipërisë.
Vetëm kaq mjafton për të nënvizuar urgjencën me të cilën duhet të bëhet një riadaptim i sistemit, por që për fat të keq, PS dhe PD që janë dhe autorët që e kanë bërë këtë ndryshim në 2008 në favor të tyre nuk do të kenë vullnet për ta bërë ndryshimin, sepse janë përfituesit më të mëdhenj që vijnë nga zbatimi i një sistemi të tillë elektoral që ne kemi aktualisht.