Tirana do të jetë sot kryeqendra e Evropës, pasi do të mirëpresë Samitin e Komunitetit Politik, që sjell në kryeqytetin shqiptar 53 liderë evropianë, përfshi presidentë, kryeministra dhe institucione, si Bashkimi Europian, NATO dhe OSBE.
Samiti i organizuar bashkërisht nga Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa dhe Kryeministri Edi Rama do të mbahet në sheshin “Skëndërbej” dhe punimet do të nisin në orën 11:00 për të përfunduar me konferencën përmbyllëse në orën 18.30 të Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministres së Danimarkës, si vendi që do të presë samitin e radhës. Tema e diskutimit të samitit do të jetë “Evropa e re në një botë të re: Unitet – Bashkëpunim – Veprim i përbashkët”.
Kryeministri Edi Rama priti Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Costa ka ardhur në Shqipëri në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Europian, që zhvillohet sot në Tiranë. Në një konferencë të përbashkët për mediat, Rama u shpreh se ai personalisht nuk e kishte humbur asnjëherë besimin për Shqipërinë anëtare të BE-së. Rama e krahasoi hyrjen në BE me një histori dashurie, ku Shqipëria duhet të bënte detyrat derisa sa Bashkimi Evropian të hapte derën. E tashmë, sipas kryeministrit, ajo që duhet të bëjnë të dashuruarit, ku në këtë rast është vendi ynë, është të mos dorëzohen.
“Unë nuk e kam humbur asnjëherë besimin, por kam thënë që kjo është një histori dashurie, deri kur ana tjetër do të ndjejë nevojën për ty, ti s’duhet të dorëzohesh. Ndërkohë që ti rri poshtë dritares duke bërë serenatë, deri sa të hapet dritarja. Dritarja është hapur, çarçafi është hedhur dhe ne tani, të dashuruarit, duhet të ngjitemi”, – tha Rama.
Costa dhe Rama theksuan se e ardhmja e Shqipërisë është drejt BEsë. Të pyetur nga mediat se sa janë mundësitë që Shqipëria të anëtarësohet në BE brenda 2030-të, Antonio Costa tha se kjo është shumë e mundur, por gjithçka varet nga qeveria dhe qytetarët e Shqipërisë.
“E gjitha kjo varet nga ecuria juaj. Unë jam i sigurt që me këtë mesazh të fortë që kam për shqiptarët dhe për ju, Edi, dhe ekipin tuaj, unë jam i sigurt që do të bëni një punë të shkëlqyer. Vitin tjetër unë jam i sigurt që nuk do t’i përgjigjem të njëjtës pyetje. Po, Shqipëria do të bëhet vend anëtar së shpejti”, – deklaroi z.Kosta.
E njëjta përgjigje ishte dhe nga ana e Kryeministrit Edi Rama kur tha se e ardhmja është në dorë të shqiptarëve dhe kur ne të kemi bërë të gjitha detyrat, atëherë është radha e BE-së të thotë fjalën e saj.
“Unë shpresoj të vish vitin e ardhshëm se do të hapim kolegjin e ri. Po ndërtojmë një godinë, që është më e bukur se ajo në Bruzhë. Unë jo vetëm që i qëndroj asaj që kam thënë se ne na është dhënë mundësia historike, pasi janë rreshtuar yjet bashkë dhe BE-ja ka hapur derën që të hyjmë në atë derë, nëse ne bëjmë të gjitha ato që janë të shkruara dhe të përmbledhura në planin që kemi në tavolinë së bashku me Komisionin. Ne do të bëjmë tonën, se po nuk bëmë ne tonën, nuk ka çfarë bën as Antonio, që e do me zemër këtë proces, Shqipërinë dhe rajonin, sepse BE-ja funksionon me laps, me kritere dhe standarde që duhen përmbushur. Pasi ne të bëjmë tonën, pastaj topi është në fushën e tyre për të hapur derën. Zoti u shtoftë inatin edhe para 2030-ës! Ne jemi në mes të Europës, nga popujt më të vjetër këtu. Për sa kohë nuk hyjmë në BE, do të mbetemi të huaj. Për ne nuk është çështje as fondesh e as prosperiteti, por në radhë të parë është çështje dinjiteti dhe identiteti”, – deklaroi Edi Rama.
Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, në një konferencë të përbashkët me kreun e qeverisë shqiptare përgëzoi Edi Ramën për fitoren në zgjedhjet e 11 majit. Ai tregoi se objektivi i përbashkët me vendin tonë, tashmë është anëtarësimi në BE.
“Faleminderit i dashur Kryeministër për këtë mikpritje kaq të ngrohtë! Është kënaqësi që mbyll turin në Tiranë. Për BE-në, integrimi është investimi më i madh gjeopolitik, është momenti i duhur. Shqipëria është mishërimi i procesit të zgjerimit të BE-së. Rezultati i zgjedhjeve konfirmoi dëshirën e qytetarëve shqiptarë për t’u integruar në BE. Ju përgëzoj për këtë fitore! Anëtarësimi në BE është objektivi ynë i përbashkët. Ruajtja e ritmit dhe intensifikimi i punës, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit është thelbësor. Ne qëndrojmë krah për krah në arenën ndërkombëtare. Europa nuk do të thotë vetëm begati, vlera, Europa ka nevojë edhe për fytyrën tonë të përbashkët”, – u shpreh Presidenti i KE.
/Gazeta Panorama