Një instruktore noti ka dhënë një paralajmërim të fortë për prindërit: mos ia mbështillni fëmijës peshqirin mbi shpatulla, sepse kjo mund të jetë e rrezikshme. Ajo ka treguar edhe mënyrën e “duhur” për të tharë fëmijët pas notit.

Pas vëzhgimit të shumë prindërve që bënin të njëjtin “gabim” pas mësimeve të notit, Nikki Scarnati – trajnere e certifikuar në SHBA – paralajmëroi se mbështjellja e peshqirit mbi shpatulla mund të kufizojë lëvizjen e fëmijës në rast se bie përsëri në ujë.

Nikki, e cila jep mësime noti në Spring Hills, Florida, demonstroi në një video me vajzën e saj të vogël një mënyrë më të sigurt për të përdorur peshqirin: duke ia futur nën krahë pasi ta ketë tharë mirë.

“E kam parë të ndodhë shumë herë — madje edhe vetë e kam bërë pa e kuptuar për një kohë të gjatë,” thotë ajo në video.
“Kur nxirrni fëmijën nga pishina, është krejt natyrale të doni ta mbuloni plotësisht. Por nëse ai bie përsëri në ujë kështu, gjymtyrët i mbeten të bllokuara nën një peshqir të lagur.”

Këshilla e saj: “Pasi ta nxirrni nga uji, fillimisht thajini krahët dhe më pas mbështilleni peshqirin poshtë krahëve.”
“Sado e thjeshtë që të duket, kjo i jep mundësi të përdorë duart në rast rreziku dhe e bën më të sigurt.”

Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë që peshqiri të mos jetë shumë i gjatë, në mënyrë që të mos paraqesë rrezik për pengim.

@scarnati.swim
Saktësisht! Peshqiri duhet të jetë POSHTË krahëve, jo SIPËR tyre. Ndiqni më shumë për këshilla mbi sigurinë në ujë ????

Kjo mënyrë mund të parandalojë gjithashtu që fëmija të rrëzohet, pasi do të mund të përdorë krahët për të ruajtur ekuilibrin.

Pas videos virale të Nikki-t, shumë prindër ndanë përvoja personale tronditëse:

“Hoqa dorë nga mbështjellja e fëmijëve në shpatulla pasi djali im u pengua duke u ngjitur nëpër shkallë dhe u godit fort në mjekër — sepse nuk mundi të kapet me duar,” rrëfeu një baba. “Më mirë pak të ftohtë sesa të përfundosh në urgjencë për qepje.”

“Po, kjo është shumë e vërtetë,” tha një grua tjetër. “Kur isha dy vjeç, rashë në pjesën e thellë të pishinës me peshqirin rreth krahëve dhe dikush duhej të më shpëtonte.”

Megjithatë, jo të gjithë u bindën. Disa prindër e konsideruan mënyrën e instruktores më kufizuese.

“Mendoj se kjo mënyrë në fakt kufizon më shumë — po e mbështjellim fëmijën më ngushtë,” u shpreh një nënë.
“Nëse fëmija e mban vetë peshqirin mbi supe dhe bie në ujë, ka shumë mundësi që ai të rrëshqasë nga trupi.”

“Për më tepër, nëse peshqiri është i lidhur ngushtë poshtë krahëve, mund të përfundojë duke u mbështjellë rreth këmbëve dhe ta tërheqë fëmijën poshtë nga pesha e tij kur është i lagur,” komentoi një tjetër.

Një tjetër shtoi: “Mbështjellja poshtë krahëve mund të kufizojë lëvizjen e këmbëve dhe ta bëjë fëmijën më të prirur të pengohet.”

Ndërkohë, By The Dunes (@bythedunes) ofron një alternativë tjetër për ta mbajtur fëmijën të thatë dhe të sigurt: Peshqirët-Tuta (Jumpsuit Towels).

Në një video në TikTok, kompania e peshqirëve të veshshëm paralajmëroi për rreziqet që sjellin ponçot në plazh, pasi fëmijët shpesh pengohen duke ecur me to.

Ata shtojnë se dizajni i tyre “Jumpsuit Towels” ndihmon në parandalimin e pengesave dhe rrëzimeve afër ujit./ Shendeti.com.al/ Burimi: Daily Mail

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko