Meloni nuk u ftua të marrë pjesë në telefonatën e përbashkët me Donald Trump
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka paralajmëruar për rritjen e “egoizmit” mes liderëve të Bashkimit Europian, pasi një përplasje diplomatike u shfaq mes saj dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, gjatë samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë.
Sipas “The Telegraph”, Meloni nuk u ftua të marrë pjesë në telefonatën e përbashkët me Donald Trump, gjë që siç tha ajo për mediat italiane, ndodhi për shkak të refuzimit nga ana e Italisë për të dërguar trupa italiane në Ukrainë.
Presidenti francez Macron, i cili ishte në këtë telefonatë bashkë me kryeministrin britanik Keir Starmer, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin e Polonisë, Donald Tusk, e akuzoi Melonin për përhapje dezinformimi.
- “Diskutimi ka të bëjë me një armëpushim, të shmangim përhapjen e informacionit të rremë. Ka mjaftueshëm dezinformim që vjen nga Rusia,” deklaroi Macron.

Ndërkohë, në prag të inaugurimit të Papa Leonit XIV, Meloni u takua në Romë me kancelarin Merz, në një përpjekje për të ulur tensionet. Por pas takimit, ajo u bëri thirrje të gjithë liderëve të BE-së që të “lënë mënjanë egoizmin” dhe të paraqiten të bashkuar për një zgjidhje paqësore që nuk përfshin kapitullimin e Ukrainës.
Mediat italiane e kanë komentuar mungesën e Melonit në bisedimet në Shqipëri si një përjashtim të qëllimshëm, duke sugjeruar se Macron kishte ndikuar që ajo të mos përfshihej. Meloni u tha gazetarëve se Italia ishte e hapur për t’u bashkuar me çdo format ndërkombëtar që synonte t’i jepte fund luftës, por paralajmëroi kundër përçarjeve brenda Perëndimit.
- “Uniteti perëndimor ka qenë forca jonë më e madhe që nga fillimi i agresionit rus. Në një moment kaq delikat, është jetike të lëmë mënjanë mosmarrëveshjet personale që mund ta minojnë këtë unitet”, tha Meloni.
- Nga ana e tij, kancelari gjerman Merz u shpreh pas takimit me Melonin: “Nuk duhet të lejojmë që të ndahemi. Do të zhvilloj bisedime në BE në ditët në vijim dhe do ta përfshij Italinë në të gjitha përpjekjet tona për të zgjidhur këtë konflikt.”
