Policia ka reaguar në lidhje me ngjarjen në Durrës ku një sasi eksplozivi u gjet në zonën e Velierës mbrëmjen e së martës. Forcat xheniere kryen shpërthim të komanduar të lëndës plasëse mëngjesin e sotëm pasi mbajtën të rrethuar zonën për shumë orë.
Blutë informojnë se lënda plasëse që ishte lidhur me një celular të ngjitur me natriban.
Policia mori njoftimin për eksplozivin rreth orës 22:30, ku në lagjen nr. 1, në vendin e quajtur “Veliera” u gjet lënda plasëse.
Shërbimet e Policisë shkuan në vendngjarje dhe vendosën perimetrin e sigurisë. Ndërsa njësia antieksploziv e RENEA-s kreu veprimet për çaktivizimin e pakos me lëndë plasëse.
Njoftimi i policisë:
Durrës/Më datë 20.05.2025, rreth orës 22:30, në lagjen nr. 1, në vendin e quajtur “Veliera”, është konstatuar një pako me lëndë të dyshuar plasëse.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë shkuan në adresën e dhënë dhe vendosën perimetrin e sigurisë, ndërsa njësia antieksploziv e RENEA-s kreu veprimet për çaktivizimin e pakos me lëndë plasëse që ishte lidhur me një celular të ngjitur me natriban.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.