Rasti i Pëllumb Elmadhit nga Domen i Rrogozhinës, i sëmurë me skizofreni prej 20 vjetësh, ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur shqetësime lidhur me trajtimin dhe mbështetjen e individëve që vuajnë nga sëmundje të shëndetit mendor.

Kjo histori, e denoncuar nga emisioni “Tak Fak”, në News24, ka zbuluar kushtet çnjerëzore në të cilën familjarët e tij e kanë mbajtur të izoluar prej vitesh. Po ashtu dhe i braktisur nga institucionet shëndetësore.

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, ka reaguar menjëherë duke shprehur shqetësimin për këtë situatë dhe duke falënderuar ekipin e emisionit për ngritjen e këtij problemi.

E intervistuar nga gazetarja e “Tak Fak”, Rovena Cerka, ministrja Koçiu ka theksuar rëndësinë e marrjes së një trajtimi të specializuar për pacientët me sëmundje mendore dhe ka nënvizuar nevojën për të forcuar mbrojtjen ligjore të të drejtave të pacientëve, veçanërisht për ata që nuk janë në gjendje të kuptojnë dhe reagojnë.

Ajo ka premtuar se do të ndërmerren të gjitha masat për të zgjidhur situatën dhe për të siguruar që individët me probleme shëndetësore mendore të trajtohen në kushte të sigurta dhe të denja.

“Rastin e kam ndjekur dhe është vërtet shqetësues. Unë dua tju falenderoj që e ngritët si shqetësim. Do duhet të shikojmë pak parashikimet ligjore për të drejtat e pacientit i cili nuk është i aftë mendërisht.

Marrja e një trajtimi të specializuar nga një mjek klinicist. Do të ndërmarrim të gjitha hapat në fuqi për të zgjidhur situatën”, tha për “Tak Fak”, ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu

Pas ndërhyrjes së Ministrisë, Pëllumbi është shoqëruar për në spitalin psikiatrik të Elbasanit nga punonjës të shërbimit social, psikiatër dhe forca të Policisë së Shtetit.

Ky moment ka sjellë një situatë dramatike, kur gruaja e tij, në një gjendje të rënduar emocionale, është përpjekur të ndalojë largimin e tij, duke shprehur frikën se bashkëshorti i saj mund të keqtrajtohet në spital, pasi ai nuk është në gjendje të kuptojë ose të reagojë ndaj mjekëve.

Në pamjet e filmura nga ekipi i “Tak Fak”, gruaja shfaqet duke mbajtur një thikë në dorë, në përpjekje të pengojë largimin e bashkëshortit të saj.

Forcat e policisë dhe mjekët kanë ndërhyrë për të siguruar që Pëllumbi të dërgohej në spitalin psikiatrik të Elbasanit për të marrë trajtimin e nevojshëm, duke shmangur çdo veprim të mundshëm të pakontrolluar nga ana e tij.

Edhe grupi i “Tak Fak”, e shoqëroi ambulancën deri në spital, duke marrë informacione më të detajuara për trajtimin shëndetësor të Pëllumbit.

Ky rast vë në pah nevojën për një mbështetje të fortë dhe të koordinuar ndërmjet shërbimeve shëndetësore, sociale dhe forca të rendit, për të garantuar trajtim të denjë për individët që vuajnë nga probleme mendore.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko