Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet për ndarjen e befasishme nga jeta të ish-kreut të kadastrës, Artan Lame, pas një operacioni në zemër.
“Lajm i pabesueshëm, por fatkeqësisht i vërtetë”, ka shkruar kreu i qeverisë, ndërsa i ka shprehur ngushëllimet bashkëshortes së Lames, Mirelës, djalit të tyre dhe familjes.
“I pabesueshëm, po fatkeqësisht i vërtetë lajmi i befasishëm i ndarjes nga jeta të Artan Lames. Jam pa fjalë. Ngushëllime Mirelës, djalit të tyre dhe familjes e shokëve të përbashkët💔”, shkruan Rama.
Mësohet se Artan Lame, 58 vjeç, humbi jetën pas një ndëhyrje kirurgjikale të vështirë në zemër, pas daljes nga gjendja e komës.
Gjatë karrierës së tij, Artan Lame ka mbajtur pozita të rëndësishme, përfshirë ato si zëvendësministër dhe drejtor i Agjencisë së Kadastrës dhe Legalizimeve.
Lame ka qenë gjithashtu një publicist, opinionist, studiues i historisë shqiptare dhe një veprimtar i angazhuar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të vendit.
I lindur në Tiranë në vitin 1967 dhe me origjinë nga fshati Qytezë i Kolonjës, Artan Lame ka lënë gjurmë të thella si pjesë e shoqërisë civile dhe si funksionar publik, duke kontribuar në zhvillimin dhe ruajtjen e pasurive kulturore të Shqipërisë.