Kreu i PD-se, Sali Berisha deklaroi sot se në fshatin Pekisht të Elbasanit, në një bar-kafe në pronësi të kryeplakut Dervish Beqiri, janë gjetur materiale zgjedhore dhe shuma të konsiderueshme parash, sipas tij për të blerë votat.
Sipas Berishës, informacioni i është përcjellë mbrëmjen e djeshme deputetit të ardhshëm të Elbasanit, Blendi Himci, i cili sot në mëngjes ka shkuar në ambientet e lokalit dhe ka gjetur aty fletë votimi, lista votuesish dhe materiale të tjera zgjedhore, në një vend të dyshuar si pjesë e asaj që Berisha e quajti “treni bullgar”.
“Treni bullgar mbeti në stacionin e Pekishtit. Doli nga shinat dhe mbeti aty,” u shpreh Berisha, duke iu referuar një praktike të njohur për manipulimin e votave.
Berisha theksoi se ngjarja është e ngjashme me raste të tjera të denoncuara më herët në zona si Kashari dhe Astriti, ku sipas tij, funksiononin “qendra alternative votimi” të ngritura paralelisht me qendrat zyrtare.
Berisha: Treni bullgari mbeti ne stacionin e Pekishtit, doli nga shinat dhe mbeti aty. Pas një informacioni që deputeti i ardhshëm i Elbasanit, Blendi Himçi mori mbrëmë se në fshatin Pekisht, në bar-kafenë e kryeplakut të fshatit Dervish Beqiri, vëzhgues besnik i PS, ndodhen sasi e konsiderueshme materialesh votimi, fletë votimi, lista votimi dhe narko-euro.
Siç keni parë ju, në rastin e Kasharit, në rastin tek Astiri dhe në raste të tjera, ku paralel me qendrat e votimit ishin ngritur zyrat e ‘trenit bullgar’ nga patronazhistët, kjo pra ishte një praktikë shumë e përhapur.
Sot në mëngjes herë, zoti Himçi shkoi vetë në bar-kafenë e Dervish Beqirit, hyri brenda dhe në vendin ku ishte informuar u gjet i gjithë materiali zgjedhor që do paraqesim tani para jush.
Këto që shihni ju janë fletët e votimit, listat e votimit të gjetura, që kishin kaluar prej disa netësh dhe flinin në bar-kafenë e Dervish Beqirit.
Dervish Beqiri është vëzhgues i PS, bashkia Peqin, KZAZ me numër 45, qendrat e votimit 2292-2293. Tani e shikoni tavolinën plot me euro, karta identiteti, bollëk i madh.
Kjo është tavolina e krimit elektoral. Këto janë listat. Janë 117 fletë listash votimi me vula, siç e shihni. Kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës.