Fier – Nuk arriti t’i shpëtonte ndjekjes së policisë: një nga autorët e atentatit të rëndë në fshatin Shtyllas, ku babë e bir tentuan të vrisnin shtetasin Ll. M., është vënë në pranga teksa po përpiqej të arratisej drejt Greqisë.
Pas disa orësh kërkime intensive, strukturat e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore dhe Komisariatin e Sarandës, arritën të lokalizonin lëvizjet e 40-vjeçarit N. P., i shpallur në kërkim për përfshirje në tentativën për vrasje me paramendim, në bashkëpunim.
Autori u ndalua pikërisht në momentin kur po hipte në një autobus të linjës Konispol-Sarandë, me destinacion përfundimtar Greqinë, ku synonte të fshihej nga drejtësia.
Ndaj tij është ekzekutuar masa e ndalimit për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë. Tashmë, materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.
