Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ vendosi të pranojë 3 nga 5 kërkesat e PD – ASHM në lidhje me ankimimin e rezultatit të votimeve të 11 majit në qarkun e Kukësit.
Relatori i çështjes, anëtari i Komisionit, Ilir Rusmali tha se KAS vendosi të pranojë kërkesën e PD të të dhenave që merren nga operatori postar për votat e Greqisë si edhe raportin e audituesve teknicienë.
“Për Greqinë kjo kërkesë duhet të pranohet. Nëse gjatë këtyre ditëve do të vijnë, edhe ato duhet ti vihen në dispozicion. Kjo kërkesë duhet pranuar për aq sa disponohet prova”, tha relatori Rusmajli.
Nga ana tjetër KAS vendosi që të rrëzojë kërkesën për kryqëzimin e shenjave të gishtave nga pajisjet PEI me votuesit.
”Kërkesa nuk ka lidhje me marrjen e një prove, prova nuk ekziston. Sikur prova të ekzistonte do të duhej ta merrnim, por ne e shoqërojmë këtë vendim me një kërkesë nga ana jonë drejtuar KQZ që të bëjë përpjekjet e mundshme njerëzore që të dhënat që kërkohen ti vijë në dispozicion brenda ditëve që ne kemi në dispozicion për përfundimin e shqyrtimit”, tha Rusmajli.
Kërkesa për kopje të regjistrave të posaçëm për çdo qendër votimi u refuzua.
“Kjo kërkesë nuk ka lidhje me pretendimet e paraqitura në kërkesën ankimore. Ankuesi nuk formalizon dot një kërkim në raport me to. Nuk është pjesë e procedurës tone.”, u shpreh relatori.