Ka një trajner të padukshëm që stërvit sistemin tonë imunitar që nga lindja: mikrobioma.

Gjatë 1.000 ditëve të para të jetës – nga konceptimi deri në moshën dyvjeçare – kjo stërvitje mund të bëjë dallimin mes shëndetit dhe sëmundjes. Këtë e shpjegon me qartësi Prof. Alessio Fasano, Drejtor i Qendrës për Kërkime mbi Imunologjinë Mukozale dhe Biologjinë në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts (Harvard) dhe një nga ekspertët më të njohur në botë për marrëdhëniet mes mikrobiomës, sistemit imunitar dhe sëmundjeve inflamatore kronike.

Në leksionin e tij në Kongresin e 80-të të Shoqatës Italiane të Pediatrisë (SIP), Fasano propozon një ndryshim të vërtetë paradigme:
“Të veprosh mbi mikrobiomën gjatë dy viteve të para të jetës është një formë e parandalimit parësor, e krahasueshme me vaksinimin. Do të thotë të programosh një sistem imunitar që di të dallojë çfarë duhet sulmuar dhe çfarë duhet toleruar.”

Derimë tani është folur shumë për mikrobiomën, por rrallëherë është lidhur kaq qartë me “dritaren kritike” të 1.000 ditëve të para. “Është në këtë periudhë që ndërtohet një ekuilibër i qëndrueshëm midis organizmit dhe mikrobeve. Nëse ndërpritet – për shembull nga një lindje me operacion pa nevojë, një ushqyerje e pabalancuar apo përdorimi i tepruar i antibiotikëve – sistemi imunitar mund të programohet gabimisht dhe të bëhet hiperaktiv, duke favorizuar inflamacione kronike,” shpjegon Fasano.

Sipas kërkimeve, shumë sëmundje në rritje te fëmijët – alergjitë, obeziteti, sëmundja celiake, diabeti tip 1, si dhe çrregullime të zhvillimit nervor si autizmi dhe ADHD – mund të kenë origjinën tek një “disbiozë” e hershme, pra çekuilibër i mikrobiomës.

Çfarë mund të bëhet? Ja disa veprime që janë tashmë të mundshme për pediatrit dhe familjet:

  • Të favorizohet lindja natyrale, kur është e mundur: fëmija merr mikrobiomë “të përzgjedhur” dhe të përshtatshme me profilin e vet gjenetik.

  • Të kufizohet përdorimi i panevojshëm i antibiotikëve, sidomos në dy vitet e para: shumë infeksione virale nuk kërkojnë antibiotikë, të cilët mund të dëmtojnë ekuilibrin e mikrobiomës.

  • Të promovohet ushqyerja me gji dhe ushqyerja e shëndetshme, e pasur me fibra, që nga faza e futjes së ushqimeve: “Ajo që hamë ne, e hanë edhe mikroorganizmat tanë. Nëse japim ‘ushqim të dëmshëm’, ushqejmë bakteret e gabuara”, thekson Fasano.

  • Të shmanget stresi i tepruar dhe stili i jetës tepër “perëndimor” në muajt e parë të jetës, kur mikrobioma është ende në ndërtim dhe përpiqet të “arrijë marrëveshje” me organizmin.

“Këto rezultate forcojnë edhe më shumë idenë se 1.000 ditët e para të jetës janë themelore për shëndetin e ardhshëm.”

Në këtë periudhë, pediatrët dhe prindërit mund të punojnë së bashku për të ndërtuar një sistem imunitar të shëndetshëm. Pediatrit duhet të udhëheqin dhe orientojnë, ndërsa prindërit të marrin vendime të vetëdijshme: nga ushqimi te përdorimi i antibiotikëve, deri te mënyra e jetesës. Kjo aleancë mund të bëjë me të vërtetë diferencën, thotë Rino Agostiniani, president i Shoqatës Italiane të Pediatrisë (SIP).

Sfida e madhe është kalimi nga një qasje empirike në një mjekësi precize, të bazuar në mikrobiomë.

“Nuk mund të mendojmë t’i japim të gjithëve të njëjtin probiotik: nevojitet analizë e personalizuar për të kuptuar cilët baktere mungojnë dhe si të rikthehen”, thekson Fasano.

Teknologjitë për këtë ekzistojnë, por janë ende të shtrenjta dhe pak profesionistë janë të trajnuar për t’i interpretuar të dhënat. Sot, analiza e detajuar e mikrobiomës kushton mbi 1.000 euro. Por së shpejti, kur kjo analizë të kushtojë sa një analizë standarde e jashtëqitjes, mikrobioma do të bëhet një tregues i fuqishëm i hershëm për shumë sëmundje kronike.

Po hapet një fazë e re e parandalimit:

Jo më vetëm infeksione, por edhe inflamacione kronike, çrregullime metabolike dhe të zhvillimit nervor. Mikrobioma nuk është më një temë kërkimore e ngushtë: është toka ku ndërtohet sot shëndeti i nesërm.

Mjekësia pediatrike tashmë ka ndihmuar në luftën kundër infeksioneve përmes vaksinave. Tani duhet të përballet me sfidën e dytë: të parandalojë sëmundjet inflamatore kronike duke ndërhyrë që në fillim, përmes mikrobiomës.

Sipas Prof. Fasano, janë 5 shtyllat që e kthejnë një predispozitë gjenetike në sëmundje:

  1. Gjenetika – trashëgimia jonë. Nuk mund të ndryshohet, por vetëm nuk është e mjaftueshme për të shkaktuar sëmundje.

  2. Faktorët mjedisorë – ndotja, ndryshimet klimatike, stresi kronik. Janë shpesh jashtë kontrollit personal, por ndikojnë fuqishëm në inflamacion.

  3. Permeabiliteti i zorrëve – kur barriera e zorrëve dobësohet, substancat e dëmshme futen në qarkullim dhe aktivizojnë imunitetin në mënyrë të gabuar.

  4. Sistemi imunitar hiperaktiv – nëse programohet keq në vitet e para të jetës, reagon edhe pa kërcënime reale, duke nxitur inflamacion kronik.

  5. Mikrobioma – një ndër faktorët më të ndikueshëm. Në 1.000 ditët e para, lindja me operacion, antibiotikët, ushqimi dhe stili i jetesës (si jeta sedentare, përdorimi i tepruar i teknologjisë apo mungesa e gjumit të mirë) mund ta dëmtojnë ose ndihmojnë. Një mikrobiomë e shëndetshme ndihmon në rregullimin korrekt të sistemit imunitar.

Përshtati në Shqip S

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko