Gazetarët e Danwatch dhe Der Spiegel kanë arritur të sigurojnë qasje në 2 milionë dokumente top sekret që zbulojnë në detaje sekretet e disa impianteve bërthamore strategjike të Rusisë.
Ndër informacionet e publikuara gjenden planimetria e bazës në Yasny, ku janë të vendosura raketat Avangard, përfshirë edhe vendndodhjen e tualeteve, hartat e tuneleve dhe sistemet e sigurisë të kamerave të vëzhgimit. Thuhet gjithashtu se bazat në fjalë – të sapo modernizuara nga Moska – janë të mbushura me produkte daneze dhe se kompanitë Danfoss, Grundfos dhe Rockwool kanë luajtur rol në modernizimin e dy bazave me armë bërthamore me rëndësi të lartë.
Sekretet e bazave të Rusisë
Nëse këto informacione do të konfirmoheshin, do të përballeshim me rrjedhjen më të madhe të të dhënave të inteligjencës në historinë e ushtrisë ruse, me Kremlin që mund të detyrohej të rindërtonte nga e para pjesë të infrastrukturës së vet bërthamore – me një kosto potenciale prej miliarda dollarësh. Thuhet se rrjedhja e të dhënave ka ndodhur përmes tenderëve shtetërorë, gjatë të cilëve kontraktorët mund të kenë publikuar aksidentalisht online skedarë të klasifikuar.
Informacionet lidhen me dy nga bazat më sekrete dhe më të ruajtura të armëve bërthamore të Rusisë pranë qytetit Yasny. Në projektet e detajuara të ndërtesave dhe strukturave teknike të bazave, që i përkasin Divizionit të 13-të të raketave nën Forcat Strategjike Raketore Ruse, zbulohet se shumë nga produktet e kompanive daneze janë shënuar në skemat origjinale që nga viti 2009. Danwatch dhe Der Spiegel kanë identifikuar gjithashtu produkte të kompanive të mëdha evropiane nga Gjermania, Franca, Italia, Holanda dhe Zvicra – të gjitha të kërkuara për bazat në Yasny.
Rrjedhje të dhënash
Sipas dokumenteve, produktet e shitura në bazat bërthamore ka shumë gjasë që janë prodhuar nga degët e Danfoss, Grundfos dhe Rockwool në Rusi. Kjo do të thotë se ato janë subjekt i ligjit rus dhe për pasojë nuk janë menjëherë të mbuluara nga sanksionet e Bashkimit Evropian të vendosura në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë nga Moska.
“Deri tani, këto baza kemi mundur t’i monitorojmë vetëm nga lart përmes imazheve satelitore,” – tha Hans M. Kristensen, drejtor i Projektit të Informacionit Bërthamor në Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë. “Tani, me ndihmën e këtyre planeve unike, mund të hyjmë për herë të parë brenda ndërtesave dhe nëntokës. Është diçka krejtësisht pa precedent,” shtoi eksperti.
Dokumentet tregojnë se shumë struktura bërthamore janë shembur dhe rindërtuar me infrastrukturë të përditësuar në dekadën e fundit, përfshirë qindra godina të reja, qendra kontrolli, kulla vrojtimi dhe tunele nëntokësore që lidhin ndërtesat brenda bazave.
Mark Taylor, ekspert i së drejtës ndërkombëtare, mendon se autoritetet daneze duhet të hetojnë përgjegjësinë e kompanive në këtë rast. “Këto produkte nuk janë shitur thjesht për ushtrinë ruse, gjë që vetë është mjaft e rëndë, por për baza që përmbajnë armë të shkatërrimit në masë. Kjo është qartazi një rrethanë rënduese, sepse përdorimi i armëve bërthamore rregullohet rreptësisht nga e drejta ndërkombëtare,” shpjegoi Taylor.
Për çfarë produktesh bëhet fjalë?
Për shembull, në njërën nga ndërtesat e sigurisë së bazave, e cila është e pajisur me armë të lehta dhe automjete të blinduara dhe është e lidhur me korridore nëntokësore, janë përdorur nëntë pompa Grundfos, valvola nga Danfoss dhe materiale izolimi nga Rockwool. Po ashtu, produkte daneze janë identifikuar gjithandej në kulla vrojtimi, godina banimi ushtarake dhe stacione transformatori.
