A mund të lani dhëmbët duke qëndruar në një këmbë? Testi viral që tregon si po plakeni

Jo, nuk është një pozicion i ri yoga, por sfida më e fundit virale në rrjetet sociale që pretendon të tregojë sa mirë po e përballoni plakjen. Gjeste të përditshme si ngritja nga dyshemeja pa ndihmën e duarve, apo larja e dhëmbëve duke ruajtur ekuilibrin mbi një këmbë, janë kthyer në teste “DIY” për moshën biologjike. Një përzierje mes humorit, fitnesit dhe shkencës pop që ka tërhequr miliona përdorues online.

Por, a është vërtet e mundur të matim kështu procesin e plakjes?

Dy studiues nga Universiteti i Aberystwyth, Marco Arkesteijn, profesor i Biomekanikës së Sportit dhe Ushtrimeve, dhe Alexander Nigel William Taylor, profesor i Psikologjisë, kanë trajtuar këtë temë në një artikull për platformën The Conversation, duke ofruar edhe disa këshilla praktike për të kuptuar më mirë se si po plakemi.

Shpejtësia e ecjes: një tregues jetësor

Ndër treguesit më të rëndësishëm fizikë është shpejtësia e ecjes. Sipas një studimi të publikuar në British Medical Journal, personat që ecin më shpejt se 1.32 metra në sekondë (rreth 5 km/h) kanë më pak gjasa të ndërron jetë në tre vitet e ardhshme. Autorët, me një dozë humori të errët, e përshkruajnë këtë si “shpejtësi shumë e lartë për t’u arritur nga Vdekja”.

Në të kundërt, një ritëm nën 0.8 metra në sekondë (afërsisht 3 km/h) mund të jetë shenjë e sarkopenisë, një gjendje që përfshin humbje të masës dhe forcës muskulore.

Testet më të thjeshta që mund të bëni në shtëpi përfshijnë matjen e kohës që ju duhet për t’u ulur dhe ngritur nga një karrige pesë herë rresht. Një veprim i thjeshtë, por që tregon shumë për formën fizike.

Mos harrojmë trurin: Forma kognitive

Plakja nuk ndodh vetëm në muskuj, por edhe në mendje. Këtu përfshihet vëmendja, kujtesa dhe fleksibiliteti mendor – aftësia për t’u përshtatur me situata të reja. Profesorët sugjerojnë tre teste interesante:

  • Testi i rrugës: Lidhni në mënyrë alternative numra dhe shkronja (1, A, 2, B, 3, C…) dhe shihni sa kohë ju duhet. Sa më shpejt të kaloni nga një informacion te tjetri, aq më mirë.

  • Testi i Stroop: Lexoni ngjyrën me të cilën është shkruar një fjalë, jo kuptimin e saj. Nëse fjala “jeshile” është shkruar me të kuqe, duhet të thoni “e kuqe”.

  • Testi me dy detyra: Ecni normalisht dhe njëkohësisht numëroni mbrapsht nga 100 duke zbritur nga tre. Nëse ecja ngadalësohet, është shenjë që truri po lodhet duke përballuar dy detyra njëkohësisht.

A vlejnë të gjitha këto?

Rezultatet e disa testeve, si qëndrimi mbi një këmbë, mund të ndryshojnë nga dita në ditë. Ndonjëherë, përmirësimi lidhet më shumë me stërvitjen se sa me ngadalësimin e plakjes. Ndërsa parametra si forca e shtrëngimit të dorës ndryshojnë shumë më ngadalë dhe japin tregues më të qëndrueshëm.

Ekspertët këshillojnë t’i përsërisni testet në fillim disa herë, për të krijuar një pikë reference, dhe më pas një herë në muaj për të monitoruar ndryshimet me kalimin e kohës.

Pyetja që ka më shumë rëndësi

Në fund të fundit, më shumë se sa ritmi i hapave apo ekuilibri mbi një këmbë, rëndësi ka një pyetje tjetër: Si ndiheni me jetën tuaj? Të plakësh mirë nuk do të thotë të fitosh një garë me kronometrin apo të kalosh me sukses çdo test kognitiv. Do të thotë të ndihesh mirë në trupin dhe mendjen tënde. Të kesh vetëdije për veten, të dëgjosh trupin, të ndjekësh vlerat e tua – edhe kur gjithçka përreth ndryshon.

Ndonjëherë, një gjest i vogël, një zakon i ri, apo një moment reflektimi mund të bëjnë ndryshimin.

Sepse të plakësh mirë, në fund të fundit, do të thotë të ndihesh çdo ditë pak më rehat me vetveten. Edhe kur lëkura fillon të tregojë shenjat e kohës.

Përshtati në Shqip S

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko