Adriatik Lapaj: Dyshojmë për manipulim të zgjedhjeve, duhet bashkim opozitar për ndryshimin e sistemit
Kryetari i partisë Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, ka ngritur dyshime serioze mbi rregullsinë e procesit zgjedhor të 11 majit, duke deklaruar se ai mund të ketë qenë i manipuluar. I ftuar në studion e News24, Lapaj theksoi se partia e tij fitoi një mandat me 64 mijë vota në rang kombëtar, ndërkohë që Partia Socialiste fitoi një mandat në Vlorë me vetëm 7 mijë vota, çka sipas tij tregon pabarazi në shpërndarjen e mandateve.
“Zgjedhjet nuk ishin fitore. Fitore do të ishte nëse do të çahej sistemi, nëse do të shkonim në zgjedhje të parakohshme,” deklaroi Lapaj. Ai theksoi se partia “Shqipëria Bëhet” ka kërkuar rinumërim të çdo kutie dhe verifikim të vulave, por deri më tani është hapur vetëm një kuti në Vlorë, gjë që ai e konsideron si një përpjekje për të “hedhur hi syve”.
Lapaj akuzoi për abuzime në qarqe të caktuara si Vlora dhe Fieri dhe kërkoi që procesi të ndiqet deri në fund sipas ligjit, duke rikujtuar se fletët e votimit duhet të kontrollohen në kamera nga të dyja anët, siç parashikohet nga ligji zgjedhor.
“PS ka marrë 10 mandate më shumë për shkak të formulës, dhe ky është një gabim fatal i Partisë Demokratike. Ata duhet të kërkojnë falje dhe të nisin një bashkim të opozitës për të ndryshuar sistemin zgjedhor,” u shpreh ai.
Lapaj gjithashtu tha se Shqipëria Bëhet është renditur si forca e tretë në vend dhe ka zhvilluar fushatë edhe në qarqe më të vështira si Dibra dhe Kukësi, si një mënyrë për të dëshmuar se sistemi aktual është i padrejtë.
“Qeveria ka me vete biznesin, krimin dhe administratën shtetërore. Populli shqiptar duhet të ngrihet dhe të kërkojë ndryshimin e sistemit zgjedhor,” përfundoi Lapaj.
