Shtetet e Bashkuara bllokuan të mërkurën një projektrezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkonte një armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm në Gaza midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas dhe shpërndarjen e papenguar të ndihmës humanitare në të gjithë enklavën.
“Pozicioni i Shteteve të Bashkuara është i qartë, ne nuk mund të mbështesim asnjë masë që nuk e dënon Hamasin dhe nuk i bën thirrje atij të çarmatoset dhe të largohet nga Gaza,” tha ambasadorja e përkohshme e SHBA-së në OKB Dorothy Shea para votimit.
“Kjo rezolutë do ta inkurajonte Hamasin dhe do të minonte përpjekjet diplomatike për të arritur një armëpushim që do të merrte parasysh situatën reale në terren,” tha ajo për dokumentin e propozuar nga 10 nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit.
Ishin 14 vende që votuan për të pranuar projekt-rezolutën, por si një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit, SHBA-të kanë të drejtën e vetos.
Izraeli ka hedhur poshtë kërkesat për një armëpushim të pakushtëzuar dhe të përhershëm, duke thënë se Hamasi nuk mund të qëndrojë në Gaza. Pas një armëpushimi dy-mujor që përfundoi në mars të këtij viti, ai ka rinisur ofensivën e tij ushtarake në enklavën palestineze, duke shkuar drejt një gjenocidi të pastër.
Përpara votimit të Këshillit të Sigurimit, shefi humanitar i OKB-së, Tom Fletcher, u bëri thirrje edhe një herë agjencive të ndihmës që të lejohen të shpërndajnë ndihmë për banorët e Gazës, duke thënë se ata kanë një plan, furnizime dhe përvojë në situata të ngjashme.
“Hiqni kufizimet mbi atë se çfarë dhe sa ndihma mund të sjellim. Sigurohuni që konvojet tona të mos pengohen nga vonesat dhe refuzimet”, tha Fletcher. /tesheshi.com/