Drejtori i përgjithshëm i shërbimit veterinar, Sulejman Kullolli, ka folur për News 24 lidhur me rastin e parë të murtajës së bagëtive të imëta që u konfirmua ditën e djeshme në vendin tonë.
Sëmundja është identifikuar në një fermë të mbarështimit të dhive në njësinë administrative Postribë, në qarkun e Shkodrës.
Lidhur me këtë, Kullolli tha se sëmundja u njoftua nga fermeri në datën 3 qershor.
Ai thotë se ferma është vënë në karantinë dhe se sot do të bëhet eliminimi i krerëve dhe do të izolohet zona në 3 dhe 10 km.
Gjithashtu ai bën me dije se është ndaluar lëvizja e kafshëve brenda territorit të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe, për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.
Ndërkaq ai thekson se kjo sëmundje nuk kërcënon shëndetin e njerëzve.
“Nuk është sëmundje që transmetohet nga nënproduktet nëse zihet. Shërbimi veterinar ushtron kontrolle dhe nuk kemi konstatime për ferma të tjera. I bëj thirrje çdo fermeri që kur ka dyshime, menjëherë te lajmërojë shërbimin veteriner më të afërt”, tha drejtori i përgjithshëm i shërbimit veteriner.
Lexo edhe: Konfirmohet rasti i parë i murtajës së bagëtive të imëta në vend, autoritetet thirrje fermerëve për vigjilencë. Ja simptomat që shfaqen te kafshët
Sulejman Kullolli, drejtor i përgjithshëm i shërbimit veterinar: Sic jeni në dijeni, për herë të parë në Shqipëri u shfaq murtaja në një fshat në Postrribë. Kjo sëmundje u njoftua nga fermeri më datën 3 qershor. Ferma është vënë në karantinë. Sot bëhet eliminimi i krerëve dhe do izolohet zona në 3 dhe 10 km. Ndalohet lëvizja e kafshëve brenda territorit pra në Shkodër dhe Malësi e Madhe nuk lejohet lëvizja e kafshëve kjo për të parandaluar vazhdimin. Kjo sëmundje prek të imtat por nuk kërcenon shëndetin e njerëzve. Nga monitorimi kishim një indicie dje në një tjetër zonë. Ne u paraqitem në fermë por nuk u konstatuan shenja të kësaj sëmundje. Me masat kufizuese, kanë dalë masat përkatëse dhe me institucione dhe po ndalojmë lëvizjen e kafshëve.
Kemi të bëjmë me një ferme të vogël dhe nuk ka dalë as mishi e as qumështi i saj nuk ka dalë në treg. Nuk është sëmundje që transmetohet nga nënproduktet nëse zihet. Shërbimi veterinar ushtron kontrolle dhe nuk kemi konstatime për ferma të tjera. I bëj thirrje çdo fermeri që kur ka dyshime, menjeherë te lajmërojë sherbimin veteriner më të afërt.