Një tjetër rrëfim i bujshëm nga dosjet e drejtësisë ka dalë në dritë. I penduari Erion Alibej, një nga personat kyç të përfshirë në disa ngjarje kriminale, ka dhënë një dëshmi tronditëse para togave të zeza në GJKKO lidhur me vrasjen e dy të rinjve, Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia, në një episod që ai e përshkruan si të planifikuar me kujdes.
“Ishte shumë e rëndësishme që të vritej Dorian Shkoza, ishte njeriu më i afërt i Talo Çelës,” është shprehur Alibej në dëshminë e tij.
Ai tregon se një natë kishte marrë një mesazh nga bashkëpunëtori i tij, Nuredin Dumani, ku i shkruhej: “Vëlla, mbaroi i pari. Shiko TV.” Pas kontrollit në lajme, Alibej konfirmon se Shkoza ishte vrarë, së bashku me një tjetër person, Anxhelo Avdia, për të cilin tha se nuk kishte dijeni më parë.
“I thashë Nuredinit, ‘Po këtë pse?’ Më tha, ‘Hajde se dhe ky i atyre është,’” rrëfen ai.
Detajet e ngjarjes dhe rolet e përfshirëve
Sipas Alibejt, në këtë vrasje ka marrë pjesë edhe Eljo Bitri, i cili më pas ka djegur automjetin e përdorur. Gjithashtu përmendet edhe një tjetër person, për të cilin thotë se nuk ia kujton mirë emrin.
Ai shton se në atë periudhë ka pasur kontakte me një person të quajtur “Hoxha”, që përshkruhet si “mjek me katër gra”, i cili furnizonte me armë grupin e tij.
Në dëshmi përmendet edhe një emër nga radhët e Policisë: Leonard Alltja, për të cilin Alibej thotë se gjeti të dhënat e Dorian Shkozës përmes sistemit TIMS.