Një situatë e ngjashme me armët kimike të 2014 mund të vijë sërish në Shqipëri, edhe pse është fjala për krijesa njerëzore e jo lëndë helmuese.

Më saktë, siç shkruan Bloomberg, administrata e Presidentit Donald Trump po i bën presion Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që të pranojnë migrantë të deportuar nga Shtetet e Bashkuara. Edhe pse Shqipëria nuk përmendet në shkrim, është e mundshme që në këtë projekt amerikan vendi ynë të jetë ndër preferencat e Uashingtonit. Kjo, nga precedenti i qendrave të pritjes së refugjatëve në Gjadër e Shëngjin për llogari të shtetit italian. Gjithsesi, kryeministri Rama refuzoi një praktikë të tillë kërkuar dhe nga kryeministri britanik Keir Starmer.

Kërkesat e bëra vendeve në rajon janë pjesë e një strategjie më të gjerë të SHBA-së për të gjetur qeveri të huaja të gatshme të pranojnë migrantë të deportuar, raportoi Bloomberg, duke cituar njerëz të njohur me çështjen.

Muajin e kaluar, Gjykata Supreme e SHBA-së lejoi administratën Trump të revokojë statusin e përkohshëm ligjor të qindra mijëra emigrantëve venezuelas, kubanezë, haitianë dhe nikaraguanë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, duke përforcuar përpjekjet e presidentit republikan për të rritur deportimet.

Administrata Trump po shqyrton destinacione të mundshme për emigrantët që mund të deportohen si rezultat i këtij vendimi, siç raporton Bloomberg.

Ende nuk ka konfirmim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë në lidhje me shkrimin e Bloomberg. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko