Prioriteti i Partisë Demokratike në situatën politike paszgjedhore është çmontimi i 11 majit. Kështu u shpreh në News 24, Belind Këlliçi i zgjedhur deputet në parlamentin e ardhshëm nga lista e mbyllur e koalicionit PD-ASHM.
Më tej Këlliçi foli edhe për denoncimet e PD-së dhe Berishës në Bruksel dhe në parlamentin evropian.
Këlliçi shprehet se PD po thotë të vërtetën dhe po bën detyrën në Bruksel, pasi Shqipëria ka bërë regres, gjë që e thonë sipas tij edhe raportet ndërkombëtare për matjen e nivelit të korrupsionit.
Belind Këlliçi: Kemi një prioritet mbi prioritet, çmontimi i 11 majit. Kemi fakte dhe prova mbi atë se çka ndodhur në 11 maj. Të marrësh në konsideratë Edi Ramën, që dikur kur Shqipërinë anëtarësohej në NATO dhe e quanin NATA. I binin bilbilave në parlament kundër integrimit. Këto që po themi ne, i thonë dhe autoritetet më të lartë të politikës globale. Edi Ramës i ka rënë maska, mund të jetë kloun interesant kur ata vijnë në Shqipëri, ulet në gjunjë apo bën batuta.
Janë aftësitë e tij si punonjës marketingu. Për të qenë shtetar, Edi Rama është partneri më pak i besueshëm sot në Europë. Këtë nuk e thotë PD, Belindi apo Berisha. E thonë institucionet më të lartë që bëjnë matjet e korrupsionit në Shqipëri. Duke qenë se Shqipëria ka bërë regres, po bëjmë detyrën tonë duke shkuar në instancat europiane dhe në KiE, në Asamblenë e PPE, duke thënë të vërtetën. Shqiptarët meritojnë të jetojnë në një vend ku votohet në mënyrë të lirë.